Presidenti Ademi e inkurajon Arbër Zenelin për rikthim të shpejtë në fushë

Futboll

Presidenti Ademi e inkurajon Arbër Zenelin për rikthim të shpejtë në fushë

Nga: K. Goca Më: 8 qershor 2019 Në ora: 21:47
Arbër Zeneli

Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se ekzaminimet e lëndimit të Arbër Zenelit fatkeqësisht kanë rezultuar për një lëndim jo të lehtë. Në fakt, sipas dr. Florim Ramadanit, i cili i kreu ekzaminimet e nevojshme magnetike të futbollistit, Zeneli e ka lënduar ligamentin e këmbës së djathtë.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili i qëndroi gjatë tërë kohës afër futbollistit të Kombëtares pas lëndimit të pësuar në ndeshjen kundër Malit të Zi në Podgoricë, ka shprehur keqardhje për lëndimin që ka pësuar futbollisti ynë. “Jam shumë i prekur dhe i mërzitur me rastin e Zenelit.

Image
Agim Ademi

Ai është një futbollist dhe një djalë i jashtëzakonshëm. Arbëri është shumë i vlefshëm për ekipin e tij si dhe për ekipin tonë Kombëtar, prandaj për disa muaj që do të jetë jashtë fushës së gjelbër pa dyshim se do të jetë mungesë dhe humbje e madhe, si për ne ashtu edhe për ekipin e tij.

FFK dhe ekipi kombëtar i Kosovës, si dhe tifozët “Dardanët” do të jenë përkrah tij për ta kaluar sa më shpejt dhe sa më lehtë këtë lëndim. Gjithashtu, FFK është e gatshme që ta mbështesë Zenelin në çdo mënyrë që është e nevojshme për ta kaluar sa më lehtë lëndimin që pësoi në krye të detyrës që gjithmonë e bënë me dinjitet.

Si president i FFK-së iu them familjes Zeneli se Arbëri është djali juaj, por është edhe djali ynë dhe i gjithë Kosovës dhe deri tash e ka kryer me përgjegjësinë më të lartë detyrën e tij për kombëtaren, duke e bërë krenar gjithë kombin tonë. Ashtu siç u dallua i vendosur, i urtë dhe shumë profesional, duke e vendosur shumë herë fatin e ekipit, kam besim që do të jetë i vendosur për ta kaluar edhe këtë sfidë.

Siç u shpalle futbollisti më i mirë i Kosovës vitin që e lamë pas qëndro i fortë si shqiponjë edhe këtë herë dhe me kurajë që sa ma shpejtë t’u bashkohesh Dardanëve në fushëbetejë”, është shprehur presidenti Ademi. Duke falënderuar dr.Florim Ramadanin dhe Spitalin Amerikan në Prishtinë për kujdesin e treguar dhe babanë e Arbërit, Avniun për përkrahjen dhe kurajën që i dha Arbrit, premtoj që FFK do të jetë përkrah futbollistit në çdo moment.

Arbër Zeneli ka udhëtuar sot në Francë bashkë me familjarët e tij, ku do t’i nënshtrohet operimit, në rast se mjekët e klubit e parashohin një gjë të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat