Ti  nuk ke vdekur, përderisa jeton në zemrat dhe kujtesën tonë

Futboll

Ti  nuk ke vdekur, përderisa jeton në zemrat dhe kujtesën tonë

Nga: Fazli Berisha Më: 9 qershor 2019 Në ora: 12:34
Fazli Berisha pranë varrit të Fadil Vokrrit

Në vend të përkujtimit
Tash e një vit më parë hapësira shqiptare u dridh si toka që lëkundet pas tërmetit të befasishëm pas ikjes tënde në amshim. U lëkund, por nuk u thye, se Ti na le pas vetes veprën, Lavdinë, krenarinë që vështirë se do të mund ta harrojmë. Jo vështirë, por kurrë nuk do ta harrojmë dhe  pa e pritur gjykimin e kohës, mendoj se vepra dhe personaliteti yt Miku im legjenda Fadil Vokrri do të zënë një vend të lartësuar e çmuar në historinë më të re të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi e komunitetit të futbollit në veçanti, krahas legjendave tjera. Mbase e ardhmja do t’i përgjigjet më së miri pyetjes se cila ishte vepra e jote. Edhe një vit pas ikjes tënde nëpër mend sjellë kujtimin e asaj dite gjithë vajin dhe dënesje e gjithë asaj mase që mbushi varrezat e Prishtinës? Miku im, beso, as fjalët, as vargjet, as tingujt, dhembjen nuk mund ta rrëfejnë dot. Tek dëgjojë këngët që të kanë kushtuar Ty, me dhembje e nxitim përpiqem të kap kujtimet një për një në shprushjet nëpër kohë.

Gjithmonë u kam besua fjalëve të poetit se njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kurrë, e tash u besoj fjalëve se njerëzit e mirë vdesin para se ta dëshirojnë vdekjen! Sa shumë sy të përlotur dhe zemra të thyera jo vetëm atë ditë por edhe tash shoh kur përmendet emri yt Legjendë. E jashtëzakonshme për zakonet tona, por i jashtëzakonshëm ishe edhe Ti, miku im. Të gjithë arkitektët duan të jetojnë përtej vdekjeve të tyre ka thënë Philip Johnson, ndaj Ti ishe i tillë. Përderisa Ti je në kujtesën tonë, Ti nuk ke vdekur kurrë, veçse ne të gjallët ta kemi borxh një falënderim me përulësi të përjetshme, për të gjitha që ke bërë dhe na e ke lënë në trashëgimi, që do ta ruajmë së sytë e ballit. 
Me mall e kujtim të përjetshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat