Në 1 vjetorin e vdekjes, përkujtohet Fadil Vokrri

Futboll

Në 1 vjetorin e vdekjes, përkujtohet Fadil Vokrri

Më: 9 qershor 2019 Në ora: 14:03
Pamje nga homazhet

Familjarë, qytetarë, personalitet publike kanë përkujtuar sot në 1 vjetorin e vdekjes ish kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Fadil Vokrri.

Familja e të ndjerit kishte organizuar homazhe tek varri i tij në varrezat e qytetit në Dragodan.

Aty u panë shumë familjarë të të ndjerit, qytetarë, klube futbolli, personalitet të ndryshme publike si dhe tifo grupi Dardanët.

Në nderim të tij, në homazhe të pranishëm ishin edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli si dhe Ministri për Rini, Kulturë dhe Sport Kujtim Gashi.

Veseli ka thënë se kujtimi për Fadil Vokrrin do të jetë i përjetshëm

“I përjetshëm kujtimi për ty, Fadil Vokrri! Ëndrrat dhe vizioni yt do të jenë pjesë e punës dhe përkushtimit tonë të përditshëm, si dhe motiv frymëzues për sukseset e gjeneratave të reja”, tha Veseli.

Image

Djali i të ndjerit, Gramoz Vokrri falënderoj të gjithë ata që kishin gjetur kohë që të vinin në homazhet për ish-kryetarin e FFK-së.

Vokrri: Faleminderit që keni gjetur kohë të jeni pranë nesh

“Një falënderim për të gjithë njerëzit që kanë ardhur sot, që kanë gjetur kohë me qenë pranë nesh në këtë moment të vështirë. Sido që të jetë na kanë lehtuar shumë dhimbjen dhe se duhet me i liru dardanët tifozët tanë të dashur të cilët kanë me u nis sot për në Bullgari. Prapë edhe njëherë në emër të familjes më lejoni që të ju falënderoj të gjithëve për prezencën e juaj”, tha Vokrri.

I pranishëm për të bërë homazhe ishte edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri i cili e cilësoi vdekjen e Vokrrit si një ndër ngjarjet më të dhimbshme që i kanë ndodhur Kosovës.

Image

Beqiri: Vokrri do të përkujtohet gjithmonë

“Sigurisht sot është një ndër ditët më të dhimbshme, jo vetëm për familjen dhe jo vetëm për Kosovën, dhe jo vetëm për futbollin. Po bëhet një vit nga shkuarja në amshim e legjendës së futbollit dhe jo vetëm të Kosovës por edhe më gjerë. Të ju them të drejtën unë e kam pasur mik të mirë, dhe më kujtohet mirë që takimin e parë para se të vije Fadil Vokrri në Prishtinë dhe të bëhet drejtor i klubit Prishtina e kemi pasur në Paris në vitin 2004 dhe unë atëherë në cilësinë e kryetarit e kam lutur, bile s’ka pasur nevojë me lutë që ti kthehet Kosovës dhe erdhi, u bë edhe drejtor edhe president dhe na i hapi rrugët”, shtoi Beqiri.

Ndërkohë i pranishëm për këto homazhe ishte dhe Branko Ruzic, ish nënkryetari i klubit futbollistik Partizani të Serbisë, ku Vokrri kishte kaluar një periudhë të karrierës së tij.

Ai e cilëosi Vokrrin si një futbollist legjendar dhe sipas tij Vokrri ka qenë ai i cili e ka bërë diferencën në fushat e futbollit.

Image

Ruzic: Miqtë nuk ikin kurrë

“Asnjëherë nuk kemi përcaktuar ndonjë përkatësi as unë as ai, përveç përkatësisë së klubit të Partizanit dhe sportit nga respekti për të dhe familjen e tij. Edhe këtë vit kam ardhur për të vënë kurora me lule. Ka qenë virtuoz i madh, futbollist i shkëlqyer, për partizanin ka dhënë 18 gola, ndërsa për reprezentacionin e ish Jugosllavisë së atëhershme po ashtu ka dhënë numër të mirë të golave edhe pse nuk ka pasur paraqitje të rregullt. Ajo që është me rëndësi për mua është se do ta kujtojmë gjithmonë me mall. unë e kam shkruar edhe në kurorë se "miqtë nuk ikin kurrë", tha Ruzic.

Natyrisht se të pranishëm ishin edhe klubi nga vendlindja e Fadil Vokrri, klubi futbollist i Llapit, aty ku Vokrri kishte qenë futbollisti kryesor i skuadrës.

Trajneri i skuadrës, Tahir Batatina në përvjetorin e Vokrrit u shpreh se njerëz si ai lindin rrallë por mbesin përgjithmonë në kujtimet tona.

Batatina: Njerëz si Fadili lindin rrallë

“Është një dhimbje e madhe për gjithë kombin shqiptar, jo vetëm për ne qytetin e Podujevës dhe jo vetëm për Kosovën, duke e ditur se ishte një njeri i cili la gjurmë në futbollin jo vetëm kosovar por edhe Evropian. Duke e ditur që ishte njeriu më meritor që sot futbolli i Kosovës, po gëzon pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare dhe falë tij ne sot po gëzojmë këto rezultate që i kem dhe mendoj që njerëzit e tillë si Fadil Vokrri lindin rrallë por mbesin të përjetshëm në kujtimet tona” tha Batatina.           

Kujtojmë që Fadil Vokrri vdiq mëngjesin e 9 qershorit të vitit që lamë pas, pas një sulmi kardiak të cilin e kishte pësuar gjatë kohës kur ishte duke bërë ushtrime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat