Zylbehari: Rruga e ngritjes së Shkëndijës do të vazhdojë edhe në të ardhmen 

Futboll

Zylbehari: Rruga e ngritjes së Shkëndijës do të vazhdojë edhe në të ardhmen 

Nga: Kemajl Goca Më: 11 qershor 2019 Në ora: 11:11
Faton Zylbehari

Skuadra e futbollit Shkëndija nga Tetova me sukseset që po shënon në vitet e fundit po e bën krenarë çdo shqiptar! Kuqezinjtë janë kampion i Maqedonisë së Veriut, titulli i dytë rresht apo i treti në histori të ekzistimit të këtij klubit që nga viti 1979.  Klub me traditë 40 – vjeçare që po shënon suksese të vazhdueshme, duke pretenduar që të arrijnë sa më lartë edhe në garat kualifikuese të Champions League. Klubi tetovarë ka përkrahjen e madhe të tifozëve “Ballistët”, që janë lojtari i 12-të.

 Edhe në kampionatin që sapo përfundoi Shkëndija zuri vendin e parë bindshëm me 79 pikë, 15 më shumë se skuadra e njohur Vardari nga Shkupi që u rendit në vend të dytë. Tetovarët nga 36 ndeshje, shënuan 24 fitore, 7 barazime dhe pësuan 5 humbje me goldallim 80:29.  78 gola u shënuan nga futbollistët e saj, ndërsa u shënuan edhe dy autogola nga lojtarët rival. Shkëndija sundoi për gjatë gjithë kampionatit dhe treguesi më i mirë është edhe diferenca me pikë me pozitën e dytë.  

Image

Skuadra që drejtohet nga kryetrajneri Qatip Osmani pretendojnë që të përgatiten sa më mirë për garat kualifikuese të Champions League. Klub që ka sjellë emocione të mëdha në garat e kaluara evropiane, pasi që dy herë rresht për një fije të flokut nuk u futen në fazën e grupeve të Europa Leagues, ku u eliminuan në fazën e play-off-it. Ky vit besojnë se do të jetë vit i madh dhe mund të realizojnë ëndrrën e madhe që të futen në fazën e  grupeve, nëse jo në Champions League të paktën në Europa League. Klub me një pronar të vyeshëm siç është Lazim Destani, me një president të palodhshëm Visar Bexheti, që kanë plane të mëdha për edicionin e ri. Një Shkëndijë që gëzon pa masë tifozët jo vetëm “Ballistët” por kudo që jetojnë e veprojnë shqiptarët.  Me futbollistë të spikatur, që pa dyshim duhet veçuar sulmuesit më efikas, si Izair Emini me 11 gola e Besart Ibraimi, që secili kanë shënuar nga 11 gola. Tandem që i jep zjarr lojës së Shkëndijes dhe që vazhdimisht sjellin presion te skuadrat kundërshtare. Përveç tyre u shqua edhe Omar Imeri me 8 gola.

Image

Golat për Shkëndijen i shënuan Besmir Bojku 5, Egzon Bejtullai 4, Stenio Junior 4, Visar Musliu 4, Valmir Nuhiu 4, Marjan Radeski 4, Ennur Totre 4, Shefit Shefiti 4, Armend Alimi 3, Agim Ibraimi 3,  Arbin Zejnullai 3, Samir Fazli 2, Gledi Mici 2, Jakup Berisha 1 dhe Ensar Luma 1 gol. Nuk duhet harruar edhe reprezentuesin e Kosovës U-21, Leard Sadriu, që sa vijnë e kalojnë javët po bëhet gjithnjë e më faktor në radhët e mbrojtjes së tetovarëve. Një djalosh që po jep maksimumin sa herë që i jepet rasti të paraqitet në fushë.

Zëdhënësi i Shkëndijes, Faton Zylbehari, tha se është një atmosferë e shkëlqyeshme brenda klubit, që po jetojnë me sukseset e mëdha por të gjithë me mendje që të përgatiten maksimalisht për sfidat ndërkombëtare.  Zylbehari konfirmon se skuadra do të përgatitet në Tetovë dhe fazën kryesore në Slloveni, ku do të zhvillojnë edhe 4 ndeshje kontrolluese, për të qenë sa më të gatshëm për ndeshjet europiane

“Bota sot”: A mendoni se Shkëndija do të jetë më e fortë në garat kualifikuese për Champions League, pasi që ka fituar edhe një përvojë në rrafshin ndërkombëtar?
Faton Zylbehari:
Sigurisht se po, megjithëse jemi të vetëdijshëm se bëhet fjalë për një garë ku cilësia është gjithmonë në nivel dhe çdo paraqitje është dëshmim i ri. Në aspekt të përvojës dhe ekipit apo edhe cilësisë, Shkëndija tashme tre vite rresht tregon se është e denjë për rezultate pozitive në xhirot eliminatore, duke prekur për të sezone të njëpasnjëshme fazën e play offit të UEFA Europa League. Tani të gjithë presin hapin e radhës dhe hyrjen në fazën e grupeve, që është një synim shumë i madh dhe i vështirë. Bazuar në të kaluarën besoj se ekipi ka gatishmërinë të synojë një gjë të tillë, por të gjithë jemi të vetëdijshëm se duhet koncentrim maksimal, angazhim i të gjithëve dhe fat sportiv, qoftë gjatë ndeshjeve, ashtu edhe në short ku shumë gjëra varen nga emri i rivalit.
“Bota sot”: Shkëndija duket se është klubi më i organizuar në shtetet e Ballkanit pas Dinamo Zagrebit, Olympiakosit, Hajdukut të Splitit, çka i duhet më shumë tani?
Faton Zylbehari:
Padyshim është diçka e bukur kur dëgjon krahasime të këtilla si këta që po bëni ju, por edhe vlerësim për të gjithë në Shkëndijë se gjithë mundi i dhënë këto vite paska vlejtur. Shkëndija ka punuar për të prekur nivele të tilla dhe me të njejtën vendosmëri do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ka shumë gjëra që duhet shtuar në rrugën tonë që kemi përpara, mes tjerash në aspektin e infrastrukturës. Besoj se rruga e ngritjes së Shkëndijës do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të qenë tamam një model prej ekipi të mirëfilltë europian.
“Bota sot”: Dy vite rresht kampion në Maqedoninë Veriore, a e keni pritur?
Faton Zylbehari:
Jo që kemi pritur, por kemi punuar për të arritur këto suksese. Ndoshta duhej të kishte ndodhur prej më herët, por ajo që ka kaluar nuk mund të kthehet. Tash koncentrimi është në të ardhmen për të mbajtur këto nivele.
“Bota sot”: Po ofrohen edhe kualifikueset të Champions League, cila është atmosfera brenda klubit?
Faton Zylbehari: Skuadra karakterizohet me atmosferë shumë të mirë, menjëherë pas festimit të titullit dhe ndeshjes së fundit kampionale futbollistët u lanë për disa ditë të lirë. Nga dita e shtunë (8 qershor) kemi nisur përgatitjet për pjesëmarrjen në eliminatoret e UEFA Champions League. Do përgatitemi në Tetovë dhe fazën kryesore në Slloveni, ku do të zhvillohen edhe 4 ndeshje kontrolluese dhe besoj të gatshëm të presim ndeshjet europiane.

“Bota sot”. A mendoni se Shkëndija do të arrijë në fazën e grupeve, pasi që dy herë rresht u eliminua në garat kualifikuese në Europa League?
Faton Zylbehari:
Është një synim dhe dëshirë e madhe e të gjithëve, por si që thash më lartë shumë gjëra mund të ndikojnë në arritjen e këtij objektivi aspak të lehtë. Gjithsesi se skuadra punon për një sukses të madh dhe uroj që gjërat të shkojnë mirë dhe në fund të kemi një tjetër moment të shënuar në historinë e klubit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat