Tovërlani: Kosova e ka motivin më të lartë se tjerat 

Futboll

Tovërlani: Kosova e ka motivin më të lartë se tjerat 

Më: 11 qershor 2019 Në ora: 16:41
Afrim Tovërlani

Kosova shkaktoi ‘tërmet’ në Sofje, e mposhti me rezultat 3:2 Bullgarinë, në ndeshjen e vlefshme të Grupit A të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020. Futbollistët tanë treguan shpirt luftarak, veçmas në 20 minutat e fundit shtuan presionin e madh ndaj bullgarëve, e cila rezultoi me fitoren e madhe, e para në kualifikueset e Kampionatit Evropian.

E gjithë bota është e mahnitur me lojërat dhe rezultatet e Kombëtares tonë, e cila ka një fitore (3:2 ndaj Bullgarisë), dy barazime 1:1 me Bullgarinë në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe 1:1 me Malin e Zi në Podgoricë. Kosova renditet në pozitën e tretë me 5 pikë, ka një me pak se Anglia dhe Çekia dhe tri më shumë se Bullgaria dhe Mali i Zi.

Trajneri i mirënjohur Afrim Tovërlani, apo trajneri më i trofeshëm në vendin tonë, i cili i takon gjeneratës së artë të Fadil Vokrrit, tha se djemtë e Kombëtares po i bëjnë të lumtur me rezultate. Tovërlani mendon se duhet ende që të përmirësohen, të flaken disa dobësi që po paraqiten gjatë ndeshjeve.  

“Bota sot”: Afrim, tri ndeshje, një fitore e dy barazime, janë tejkaluar parashikimet apo ka mundur edhe më shumë?
Afrim Tovërlani:
I përgëzoj dhe uroj djemtë sepse po na bëjnë të lumtur. Si u soll situata me Malin e Zi mendoj që kishim mundësin t’i mposhtim dhe ti kemi dy pikë më tepër. Por megjithatë edhe kështu është mirë dhe nuk duhet të na kap euforia por të përmirësohemi në gabimet që po na përsëriten në mos konkretizimin e rasteve dhe pësimin nga ndërprerjet.
 

“Bota sot”: A mendoni se Kosova është një rival i frikshëm për dy arsye, e para janë shumë të shpejt në sulm dhe e dyta, din ta ndërtojnë kundërzbritjen dhe ta qesin jashtë binarëve rivalin, apo çka po e veçon më shumë?
Afrim Tovërlani:
Kosova e ka motivin më të lartë se tjerat në këtë moment. Si ekip në momente të caktuara po humbim kontrollin si në sulm ashtu në mbrojtje. Kemi futbollist të shpejt për të dalur në kundërsulme por gjithmonë duhet të kemi siguri në mesfushë në rast se humbet topi dhe mund ta pësojmë. Me bullgarët vetëm pasi u bënë zëvendësimet mendoj që u stabilizuam. Duhet të shfrytëzojmë më shumë rastet e krijuara sepse po na kushtojnë.
“Bota sot”: Mbrëmë si zakonisht erdh në shprehje Milot Rashica, por edhe Vedat Muriqi më në fund realizoi, por ende mungon freskia apo siguria e lojës të Edon Zhegrova, pak a shumë çalojmë edhe në mbrojtje?
Afrim Tovërlani:
Mendoj që është paraqitja më e mirë e Milotit dhe ishte fantastik. Vedati po ashtu ishte shumë në element dhe kur ka topa të përdorshëm si mbrëmë mund të kryej punën e golashënuesit por jo të tërhiqet si ndaj Malit të Zi në mes të fushës sepse nga aty nuk është i rrezikshëm. Zhegrovës po shihet se po i mungojnë lojët në ekipin e tij dhe kjo po vërehet. I duhet të punoj shumë dhe të jetë më i ndërgjegjshëm. Nuk e ka ritmin e mirë dhe mbrëmë asnjëherë të vetme nuk ishte i rrezikshëm për portën. Talent i cili shpresoj të mos mbetet vetëm talent.
“Bota sot”: Me 7 shtator kundër Çekisë, në rast të fitores do të bëjmë hapin e parë drejt kualifikimit?
Afrim Tovërlani:
Duhet ti marrim ndeshjet me qetësi dhe shpresoj të analizohet mirë kundërshtari dhe e mira do të jetë se do të kthehen nga lëndimet ata që munguan këto dy ndeshje. Tash me Hadërgjonajn mund të llogarisim në stabilitet më të madh por diçka në mesfushë po na mungon. Po mungon një lider që organizon komunikon e sistemon ekipin. Rashkaj dje e bëri një gjë të tillë dhe mendoj se përvoja e tij na duhet. Mund të mposhtim Çekinë nëse nuk i përsërisim gabimet e të kaluarës.
“Bota sot”: Si e sheh Kosovën deri në fund, tri ndeshje si vendas, me Çekinë, Malin e Zi dhe Anglinë dhe si mysafirë i çekëve dhe anglezëve?
Afrim Tovërlani:
E shoh me gjasa të mira por prapë po them me këmbë në tokë. Janë 5 ndeshje dhe ka shumë punë e rrugë për t’u bërë. Më rëndësi ekipi të jetë unik dhe mos të kemi përçarje dhe individ që e prishin atmosferën në ekip.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat