Rashkaj: Duhet të punojmë që të bëjmë gjëra të mëdha 

Futboll

Rashkaj: Duhet të punojmë që të bëjmë gjëra të mëdha 

Nga: Kemajl Goca Më: 12 qershor 2019 Në ora: 17:12
Anel Rashkaj

Kosova është në qendër të vëmendjes në opinionin ndërkombëtar, sepse me rezultatet që po shënon në Grupin A të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020, shumëkënd e la pa fjalë.  Kur ishte hedhur shorti, pakkush kishte besuar se Kosova për tri ndeshje do të ketë pesë pikë, veçmas t’i importon 4 pikë nga jashtë.

Barazimi 1:1 në hapje me Bullgarinë në stadiumin “Fadil Vokrri” me shumë ka qenë fat sportiv për bullgarët se sa që merituan pikë, pastaj në Podgoricë luajtën baras (1:1) dhe me 10 qershor shënuan fitoren e parë historike me 3:2 kundër Bullgarisë në kualifikimet e Kampionatin Evropian 2020, aq më bukur në stadiumin “Vasil Levski” në Sofje. Fitore që bëri bujë të madhe dhe për 28 minutat pjesë e kësaj fitore të madhe ka qenë edhe mesfushori Anel Rashkaj, dikur kapiten i kombëtares. Ai pas një kohe u rikthye me sukses në Kombëtare dhe tregoi lojë shumë të mirë kundër Bullgarisë, duke marrë komplimente të mëdha. 
“Bota sot”: Pas një kohe të gjatë u kthyet në Kombëtare, në dy ndeshje fituat katër pikë në udhëtim, 1:1 me Malin e Zi dhe e mundët me 3:2 në Sofje Bullgarinë?
Anel Rashkaj:
Mendoj se arritëm rezultate shumë të mira dhe kanë qenë shumë me meritë këto pikë. Ekipi ka bërë paraqitje shumë të mira.
“Bota sot”: A ishe i emocionuar kur u kthyet pas një kohe?
Anel Rashkaj:
Po. Është kënaqësi e madhe të luash për përfaqësuesen. Të luash për shtetin tënd padyshim se është krenari, kur i shtohen edhe rezultatet e mira që po e bëjnë krenarë gjithë popullin.
“Bota sot”: A mendoni se është një kombëtare që do të bëj gjëra të mëdha?
Anel Rashkaj:
Nuk mund të themi që do të bëjmë gjëra të mëdha, por duhet të punojmë në at drejtim që të bëjmë gjëra të mëdha. Jemi kombëtare e re, shumë luftarake dhe po japin secili më të mirën e mundshme, si fryt i kësaj po vijnë edhe rezultatet.
“Bota sot”: Kosova është në grup të fortë me Anglinë, Çekinë, Malin e Zi dhe Bullgarinë, a mendoni se do të jetë kandidate për dy vendet e para?
Anel Rashkaj:
Të shohim, ka ende kohë, por duhet të marrim një nga një ndeshjet.
“Bota sot!”: Kosova në muajin shtator ka dy ndeshje të mëdha, së pari e pret (me 7 shtator) Çekinë dhe pastaj i shkon (me 10 shtator)  Anglisë, a janë sfida emocionale?
Anel Rashkaj:
Normalisht se janë sfida emocionale dhe shumë të vështira. Çdo pikë që e fitojmë është e mirëseardhur për ne.
 
“Bota sot: Në Suedi, AFC Eskilstuna nuk po kalon formë të mirë, a mendoni se do të ikni nga fundi i renditjes?
Anel Rashkaj:
Po, është e vërtet, po mund të ikim por për mu është me rëndësi ta jap maksimumin tim, ta kryej detyrën time, pastaj të shohim sepse kontrata me skadon në nëntor. E imja të angazhohem e të jap më të mirën për rezultate sa më të mira.
“Bota sot”: A jeni në formën më të mirë?
Anel Rashkaj:
Për momentin jam në formë të mirë! Po punoj me përkushtim që jem në nivel edhe më të mirë të mundshëm.
“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja për këtë vit?
Anel Rashkaj
: Synimet janë që të paraqitem sa më mirë, që të dal me një ekip më të mirë dhe të jem në formë të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat