Brazili favorit - Bota Sot
Brazili favorit

Futboll

Brazili favorit

Më: 14 qershor 2019 Në ora: 15:25
Brazili favorit

Sot pas mesnate me orën tonë nis Copa América, një turne mjaft tërheqës, ku luajnë shumë yje të së tashmes dhe të së ardhmes, por një turne me shumë probleme organizative. Një çorbë e vërtetë, do të kemi Copa América këtë vit, por edhe vitin e ardhshëm, ndaj Lionel Messi ka dy shanse për të tentuar suksesin me kombëtaren, njolla e vetme në karrierën e tij legjendare.

Argjentina nuk e fiton turneun prej 26 vitesh dhe presioni është i jashtëzakonshëhëm, aq më shumë që këtë verë turneu zhvillohet në Brazil, në shtëpinë e armikut.

Si zakonisht, përgatitjet e Argjentinës nuk janë asnjëherë të qeta dhe dështimi në Kupën e Botës një vit më parë është ende një plagë e thellë. Jorge Sampaoli mori faturën e dështimit, ndërsa vendin e tij e ka marrë Lionel Scaloni, i cili do të qëndrojë në drejtim deri në fund të Copa America, të paktën, sepse do të konfirmohet nëse e fiton trofeun. Messi, Aguero e Di Maria janë yjet që duhet të bëhen liderët e një ekipi të ri dhe pa shumë cilësi, me mbrojtjen që fut ujë nga çdo krah.

Ndërkaq, favoriti i turneut është me të drejtë Brazili, që e ka organizuar 4 herë Copa America dfhe gjithnjë ka triumfuar. Që prej eliminimit nga Kupa e Botës, Brazili ka fituar 9 nga 10 ndeshjet e luajtura, por dëmtimi i Neymar para pak ditësh ka qenë një goditje e fortë psikologjike. 

Gjithsesi, Neymar ishte në qendër të vëmendjes për një akuzë përdhunimi dhe në kombëtare kishte shumë njerëz që nuk e donin, ndaj ndoshta mungesa e tij nuk do rëndojë shumë, për më tepër që me emra si Coutinho, Lucas Paquetá, Gabriel Jesus e Firmino sulmi është në duar të sigurta.

Uruguai duket një ndër rivalët kryesorë të Brazilit në garën për titull, edhe pse shpresa e madhe e Oscar Tabarez është që sulmuesi kryesor Luis Suárez të jetë mirë fizikisht, për të formuar dyshen e frikshme me Edinson Cavani.

Kolumbia do të drejtohet për herë të parë nga Carlos Queiroz, pas 6 vitesh me José Pekerman në drejtim. Tre miqësore për ish-trajnerin e Real Madridit dhe Iranit, ende nuk dihet si do luajë Kolumbia, por talenti është pa fund.

Kili ka triumfuar në dy edicionet e fundit në Copa America, por tashmë duket i lodhur dhe brezi i artë është në fundin e rrugëtimit me kombëtaren.

Ekipet e tjera do të jenë thjesht figurante, nuk priten gjëra të mëdha nga Peruja, Paraguai apo debutuesi absurd Katar, që nuk dihet çfarë lidhje ka me Amerikën e Jugut, ashtu si Japonia, edhe ajo e ftuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...