Milani monitoron 7 futbollistë

Futboll

Milani monitoron 7 futbollistë

Më: 14 qershor 2019 Në ora: 18:44
Kruniq

Me vetëm dy mesfushorë (Kesi e Bilia) puro në organikë, puna e Milanit për të përforcuar repartin e mesëm nisi me Rade Kruniçin, i cili erdhi nga Empoli në këmbim të 8 milionë eurove. I aftë të mbulojë të gjitha pozicionet e mesfushës në skemat me tre mesfushorë, boshnjaku nuk do të jetë i vetmi afrim në atë zonë.

Emri i radhës është ai i Zhordan Veretu. Prej dy sezonesh te Fiorentina, 26-vjeçari ka koleksionuar 69 ndeshje me fanellën vjollcë, teksa në kontributin e tij në Firence shtohen edhe 13 gola.  Paolo Maldini ditën e djeshme ka dorëzuar në klubin toskan një ofertë prej 16 milionë eurosh. Vështirë se akordi mund të gjendet me këto shifra, duke qenë se Fiore ka refuzuar 27 milionë eurot e Napolit për regjisorin francez, por në atë marrëveshje mungonte edhe dëshira e lojtarit.

Kuqezinjtë duken një destinacion më i preferuar, ndaj takimet mes Maldinit dhe krerëve vjollcë mendohet se do të vazhdojnë në ditët në vijim, me Milanin që mund ta ngrejë deri në 20 milionë ofertën, shumë e cila mund të sjellë edhe akordin mes palëve, aq më tepër që oferta e Veretusë skadon pas 16 muajsh.

ËNDRRA – Stefano Sensi mbetet fiksimi i Milanit për sa i përket mesfushës. Megjithëse përflitet oferta prej 16 milionë eurosh për Zhordan Veretu, kuqezinjtë janë gati të vendosin thuajse të njëjtën shumë në “pjatën” e Sasuolos për t’i rrëmbyer mesfushorin shtatshkurtër.

Mesfusha e “Djallit” po përjeton një revolucion në emra, ndaj ai i Sensit duket ideali pas Kruniç, me të cilin u arrit akordi një ditë më parë. 15 milionë euro mendon të shpenzojë Milani për mesfushorin italian, teksa Sausolo pretendon thuajse dyfishin. Në orët e fundit, mediat italiane flasin për një kërkesë të klubit emilian për një shkëmbim kokë më kokë mes Sensit dhe Patrik Kutrones, i cili, për hir të hapësirës, do të pranonte transferimin në një skuadër me më pak ambicie se ajo kuqezi.

Nëse Milani lëshon 21-vjeçarin, Boban mund të sjellë te kuqezinjtë Andrej Kramariçin. 28- vjeçari (i mbush pas 1 jave) militon te Hofenhaimi, ekip në të cilin shënoi 22 gola dhe dha 5 asiste në edicionin më të fundit të Bundesligës.

POST-KESI – Nevoja për të shëndoshur arkat mund të detyrojë Milanin të privohet nga shërbimet e Frenk Kesit, edhe pse afrikani përbën një nga garancitë e pakta në një mesfushë tejet të reduktuar në numër. 21-vjeçari, në rast ofertë të majme, mund të sakrifikohet, ndaj kuqezinjtë po mendojnë edhe për planin alternativ.

Në rast shitjeje të Kesit, në “Milanello” do të vinte Seko Fofana. 24-vjeçari i lindur në Paris ngjason shumë për nga karakteristikat dhe kombësia me 79-shin e “Djallit”, për të cilin interesohen disa klube angleze. Bisedimet me Udinezen do të mbylleshin për 10-12 milionë euro, teksa lojtari nga Bregu i Fildishtë do të vinte muskujt dhe kilometrat që përshkon çdo ndeshje në shërbim të kauzës kuqezi.

KORSIA E MAJTË – Një tjetër çështje që meriton vëmendje është ajo e mbrojtësit të majtë. Striniç nuk jep garanci fizike pas një sezoni të kaluar në infermieri (probleme kardiake dhe dëmtime të shpeshta), ndërsa Laksalt nuk konsiderohet në lartësinë e duhur.

Në këtë kuadër, drejtori Maldini po monitoron Mario Ruin (në dalje nga Napoli) dhe Luka Pelegrinin, i cili luan për Kaljarin, por kartoni i përket Romës. Një tjetër afrim mund të jetë Kukureja, i cili kërkon nga Barcelona më shumë hapësirë pas sezonit fantastik me Eibarin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat