Xhaka si bombë, shënon dhe feston me shqiponjë në ‘Fadil Vokrri’

Futboll

Xhaka si bombë, shënon dhe feston me shqiponjë në ‘Fadil Vokrri’

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 21:10
Granit Xhaka

(E plotësuar) - Skuadra e Granit Xhakës dhe ajo e Milot Rashicës janë ndarë me barazim 4:4, në ndeshjen miqësore që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Pjesa e parë ishte mbyllur me rezultat 2:1, në favor të Xhakës.

Shumë prej yjeve shqiptare – jo vetëm të botës së futbollit – u shfaqën sot në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, ku u zhvillua një ndeshje bamirësie futbolli për dhjetë familje nevojtare, në Ditën e Çlirimit.

Skuadra e Rashicës e nisi këtë ndeshje më mirë, pasi iu nevojitën vetëm pesë minuta për ta zhbllokuar rezultatin. Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Ermir Lenjani, u tregua i saktë para portës, pasi topi iu kthye te këmbët nga shtylla që e goditi Rashica.

Megjithatë, skuadra e Xhakës nuk u dorëzua dhe arriti ta përmbysë rezultatin qysh gjatë minutave në vazhdim të pjesës së parë , kur shënuan ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, dhe basketbollisti Dardan Berisha.

Një moment mjaft i veçantë i kësaj ndeshjeje ishte rreth minutës së dhjetë, kur u ndal loja për nder të legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit. Djali i tij, Gramosi, u duk mjaft i emocionuar në fushë.

Edhe pjesa e dytë e ndeshjes solli mjaft shumë gola, gjithsej katër. Fillimisht rezultatin e barazoi Shefki Kuqi, i cili shënoi pas një pasimi nga Milot Rashica.

Rashica shënoi gol pas disa minutave.

Këtij goli të Rashicës, iu përgjigj me gol edhe Xhaka.

Dy golat e fundit i shënuan Armend Thaqi (për skuadrën e Xhakës, 4:3) dhe Lenjani (për skuadrën e Rashicës (4:4). Pasi rezultati u barazua, ndeshja shkoi në penallti.

Në minutën e 65-të të ndeshjes Milot Rashica doli nga ndeshja. Këtë ndërprerje të ndeshjes e shfrytëzoi një tifoz i Xhakës, i cili shkoi t’i flasë yllit të Arsenalit dhe ia puthi atij këpucët.

Në pritje për gjuajtjen e penalltive, shumë tifozë hynë në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë për t’i takuar yjet që luajtën në këtë ndeshje, veçanërisht Xhakën dhe Rashicën. Rojet e sigurimit tentuan t’i largojnë ata nga fusha.

Përkundër që u prit disa minuta që situata të qetësohej në fushë, rojet e sigurimit nuk arritën t’i largojnë tifozët nga fusha dhe ndeshja u mbyll pa gjuajtjen e penalltive, me barazim 4:4.

***

Edhe Granit Xhaka ka arritur të shënoi për skuadrën e tij në miqësoren kundër Milot Rashicës.

Ylli i Arsenal shënoi për të barazuar në 3:3 rezultatin.

Granit Xhaka pas golit iu dhuroi një moment emocionues të pranishmëve në ‘Fadil Vokrri’, duke festuar me shqiponjë.

Është barazuar në 2:2 rezultati në ndeshjen e yjeve mes Xhakës dhe Rashicës.

***

Golin e barazimit për ekipin e Rashicës e shënoi Shefki Kuqi.

Ish sulmuesi i disa skuadrave nga Premierliga, tregoi edhe një herë se nuk ka harruar të festoi në mënyrën e tij të veçantë, duke ‘fluturuar’.

Festimi i Kuqit ndezi atmosferën në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

***

Ka përfunduar para pak çastesh pjesa e parë në ndeshjen e yjeve.

Skuadra e Granit Xhakës po avanson 2-1 ndaj asaj të Milot Rashicës.

Ermir Lenjani shënoi për skuadrën e Rashicës, kurse për atë të futbollistit të Arsenalit, shënuan Muharrem Sahiti e Dardan Berisha.

Image

Mbetet të shihet sesi do të rrjedhin gjërat në fraksionin e dytë, ndërsa ne do t’iu raportojmë në kohë reale për çdo ndryshim eventual.

Kujtojmë se kjo ndeshje është organizuar nga federata e futbollit dhe komuna e Prishtinës, derisa pritet që të bëhet edhe tradicionale.

Më poshtë mund ta gjeni edhe linkun ku mund ta përcjellni pjesën e dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat