Nga diletantët tek Juventus-i, ngjitja 30-vjeçare e Sarri-t

Futboll

Nga diletantët tek Juventus-i, ngjitja 30-vjeçare e Sarri-t

Më: 16 qershor 2019 Në ora: 16:52
Maurizio Sarri

Nga diletantët te "Zonja e Vjetër". Karriera e Maurizio Sarri-t ka qenë një ngjitje. E nisur pothuajse 30 vite më parë nga Stia, kategoria e dytë e Toskanës, dhe tani e shikon veten të luftojë për të fituar gjithçka, nga kampionati te Champions League. 

Djali i një punëtori të Italsider (uzinë e përpunimit të çelikut), ish-çiklist diletant, Sarri është mësuar ta fitojë gjithçka me djersë. Ka punuar edhe në bankë, më pas "kam zgjedhur si profesion të vetëm atë që do ta kisha bërë falas. Kam luajtur, stërvitur për një jetë të tërë, nuk jam këtu rastësisht. Më quajnë akoma ish-nëpunësi. Si të ishte një faj zhvillimi i një pune tjetër", ka thënë pak kohë më parë. 

Me cigaren gjithmonë në gojë dhe tutat si lëkurë të dytë, Sarri ka marrë "diplomën" në Coverciano para 13 vitesh me një temë me titullin "Përgatitja javore e ndeshjes", Më pas ka nisur ngjitjen e radhës. 

Sarri është bërë pjesë e futbollit profesionist në 2003-shin, kur ka marrë drejtimin e Sangiovannese-s, më pas është ngjitur në Serinë B, ku ka drejtuar Pescara-n, Arezzo-n dheAvellino-n, për të arritur tek Empoli dhe ngjitja në Serinë A në 2014-ën. 

Në këtë moment, Sarri nuk ka qenë më një trajner, por një mani. Në fillim ka fituar stolin e argjendtë, më pas stolin e artë. "Sarrizmi" është kthyer në markën e tij dhe ka bërë për vete të gjithë. Napoli-n në fillim, Chelsea-n më pas dhe tani Juventus-in. Në moshën 60-vjeçare, Sarri ka arritur aty ku, ndoshta, në 1990-ën as që e imagjinonte se mund të arrinte. Dhe ngjitja nuk ka përfunduar akoma. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat