Bomba e radhës, shqiptari vendimtar në kalimin e Sarrit te Juve

Futboll

Bomba e radhës, shqiptari vendimtar në kalimin e Sarrit te Juve

Më: 16 qershor 2019 Në ora: 19:10
Bomba e radhës, shqiptari vendimtar në kalimin e Sarrit te Juve

Menaxheri shqiptar Fali Ramadani përfundimisht këtë vit duket favorit për të fituar titullin 'Agjenti më i mirë në botë', pasi tashmë disa herë me radhë gjendet në Top 5. Vetëm disa ditë pasi ndërmjetësoi transferimin e sulmuesit Luka Joviç nga Eintracht Frankfurti te Reali i Madridit, Ramadani shfaqet vendimtar në një tjetër lëvizje gjigande.

Skuadra më e trofeshme në Itali, Juventusi sot zyrtarizoi Mauricio Sarrin si trajner të ri, ndërsa rol kyç në këtë 'operacion' kishte pikërisht tetovari, Fali Ramadani. 

Kalimi në Juventus për Sarrin është kulmi i karrierës, pasi paraprakisht 60-të vjeçari shënonte rezultate shumë pozitive me Napolin dhe Chelseat, madje me këta të fundit triumfoi në UEFA Europa League.

Megjithatë në Londër qëndroi vetëm një vit, pasi e 'tërhoqi' kthimi në shtëpi dhe ftesa e Juventusit të madh. Mirëpo, bisedimet për  ndërprerjen e parakohshme të kontratës me tashmë ish-klubin e tij nuk është se shkuan aq lehtë. Pikërisht këtu në ndihmë erdhi agjenti shqiptar Fali Ramadani, që arriti të 'krijojë' situatën që Sarri të bëhet agjent 'i lirë'.

Në fakt, Ramadani përsëriti një gjë që e kishte bërë më herët, kur ishte kyç në marrjen e 'dokumenteve të lira' nga Napoli në kohën kur Sarri kaloi te Chelsea. 
Mjeshtër i vërtetë në fushën e tij, me shkathtësi admiruese komunikimi me të gjitha palët, Fali bëhet determinues në tejkalimin e dallimeve dhe arritjen e marrëveshjes. Spekulohet se Juve do të paguajë dëmshpërblim prej 2 deri 10 milionë euro në llogari të Çelsit, por kjo mbetet e parëndësishme në kushte kur lëvizja është zyrtarizuar.

Edhe mediat italiane potencojnë 4 aktorë kryesorë në kalimin e Sarrit nga Chelsea te Juve. I pari është vetë tekniku Sarri, ndërsa në mesin e tre figurave tjera bashkë me Fabio Paraticin nga radhët Juves dhe bashkëpunëtoren kryesore të Roman Abramoviçit, Marina Granovskaia, gjendet pikërisht Fali Ramadani.
Mbetet të shihet goditja e rrudhës e Ramadanit, pasi në harkun kohor prej vetëm disa ditëve ishte vendimtar në dy lëvizje të nivelit më të lartë?! Ndoshta i radhës është mbrojtësi i Napolit, Kalidou Koulibaly? Të presim bombën e radhës nga tetovari që sundon tregun evropian!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat