Gjiganti belg me ofertë zyrtare për Amir Rrahmanin

Futboll

Gjiganti belg me ofertë zyrtare për Amir Rrahmanin

Më: 17 qershor 2019 Në ora: 16:04
Amir Rrahmani

Amir Rrahmani është në pushime por emri i tij është në ballinat e medieve belge dhe skoceze këto ditët e fundit.

Rrahmani përfundoi sezonin me klubin kroat, Dinamo Zagreb në top formë, të cilën e vazhdoi edhe në fanellën e përfaqësueses së Kosovës në dy ndeshjet eliminatore të “Euro2020”, kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë që u zhvilluan në fillim të këtij muaji.

Madje, mbrojtësi nga Prishtina barti shiritin e kapitenit dhe ishte ndër më të mirët për “Dardanët”, të cilët fituan katër pikë nga këto dy ndeshje.

Në saje të këtyre paraqitjeve të mira, reprezentuesi kosovar është duke u kërkuar nga Celtic dhe Standard Liege, gjithnjë sipas medieve belge dhe skoceze.

E ardhmja e Rrahmanit duket larg futbollit kroat edhe pse ka kontratë me Dinamon.

Ditë më parë e përditshmja skoceze “The Scottish Sun” raportoi se kampioni i shumëfishtë Celtic ka nisur kontaktet me klubin kroat për shërbimet e Rrahmanit.

Dinamo Zagreb dhe Celtic kanë një traditë rreth shit-blerjes së qendërmbrojtësve, pasi klubi kroat në të kaluarën ka dërguar qendërmbrojtësit Filip Benkovic dhe Jozo Šimunović, të cilët ende janë pjesë e klubit skocez.

Megjithatë, ofertë zyrtare në drejtim të klubit kroat ka dërguar vetëm Standard Liege, gjithnjë sipas LaMauese.

Sipas “LaMauese” Liege ka dërguar një ofertë rreth dy milionë euro për t’i siguruar shërbimet e 25 vjeçarit dhe se ka arritur marrëveshje me Dinamo Zagrebin. Në këtë shkrim të gazetës belge thuhet se tani krejt çfarë i ka mbetur Liege është që të arrijë marrëveshje me Rrahmanin.

Ndërkohë, bën të ditur se kjo ofertë është refuzuar nga Amiri, edhe pse ai e preferon klubin belg para Celticut.

Ish anëtari i Drenicës në sezonin që shkoi 2018/19 për Dinamon në kampionat është paraqitur në 15 ndeshje, duke shënuar 3 gola. Ndërsa, në Ligën e Evropës është paraqitur në shtatë ndeshje.

Në rast të transferimit të tij në Standard Liege, Amiri do të jetë bashkëlojtarë me Mërgim Vojvodën, i cili javë më parë u transferua nga Royal Excel Mouscron Péruwelz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat