Kundërshtohet propozimi që të zvogëlohen fushat dhe portat për futbollin e vajzave

Futboll

Kundërshtohet propozimi që të zvogëlohen fushat dhe portat për futbollin e vajzave

Më: 18 qershor 2019 Në ora: 13:22
Foto ilustrim

Trajnerja e ekipit të vajzave të Chelseat, Emma Hayes, kishte sugjeruar që dimensionet e fushës dhe portës të zvogëlohen për futbollin e vajzave. Këtë propozim e kanë kundërshtuar futbollistet e Kombëtares së SHBA-së, Crystal Dunn dhe Abby Dahlkemper.

Emma Hayes kishte ngjallur një polemikë me kolumnën e saj të fundit në The Times, ku kishte sugjeruar se dimensionet duhet të zvogëlohen për ndeshjet e futbollit të vajzave.

“Është një arsye e qartë pse vajzat luajnë me dimensionet e fushave dhe të portave që i shohim tani. Ato na u janë dhënë. Dhe ndoshta askush nuk është ndalur kurrë për ta vënë në dyshim nëse një gjë e tillë ka kuptim”, shkroi Hayes.

“Por, nëse i shikoni sportet tjera, dikush vendosi një ditë se do të ishte e çuditshme që vajzat – me gjatësi mesatare 160 centimetra në krahasim me gjatësinë mesatare të djemve, 175 centimetra – të vrapojnë mbi të njëjtat pengesa në Lojërat Olimpike. Pengesat e vajzave u bënë 22.8 centimetra më të shkurta”.

Mbrojtësja e SHBA-së, Dunn, e cila kishte luajtur nën urdhrat e Hayes më herët në Chelsea, nuk u pajtua me mendimin e ish-trajneres së saj, duke e theksuar superparaqitjen e portieres së Kilit, Christiane Endler, në ndeshjen kundër SHBA-së të dielën.

“E njoh Emma Hayesin shumë mirë, kam luajtur nën urdhrat e saj në Chelsea. Ky është mendimi i saj dhe unë personalisht nuk pajtohem me të. Ju e keni parë portieren e Kilit duke bërë gjëra të mrekullueshme kundër nesh – Dreqi e marrtë!”, tha ajo duke qeshur.

“Ajo luajti mrekullueshëm dhe që dikush të mendojë se portat tona apo fushat tona duhet të jenë më të vogla… unë personalisht nuk pajtohem. Portat janë saktësisht me ato dimensione që duhet t’i kenë dhe fushat janë saktësisht me ato dimensione që duhet t’i kenë”.

Të njëjtin mendim e ka edhe bashkëkombësja e Dunn, Dahlkemper.

“Mendoj se ato janë saktësisht ashtu si duhet të jenë. Personalisht unë pajtohem me gjithçka që tha Crystal. Ju i shihni lojtaret si portieria e Kilit dhe ky është niveli që duhet ta ketë futbolli i vajzave”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat