Lampard do firmos në mes të detit

Futboll

Lampard do firmos në mes të detit

Më: 19 qershor 2019 Në ora: 13:31
Lampard e Abramoviç

Frenk Lampard do të takohet me ish-pronarin e tij, Roman Abramoviç, në jahtin e tij këtë javë për të diskutuar detajet e rikthimit të tij në “Stamford Bridge”, këtë herë si trajner.

Shefi i Çelsit është në Francë me pushime dhe jahti i tij prej 380 milionë sterlinash, “Eclipse”, është ankoruar në portin e St Tropez. Lampard, rekordmeni i golave i klubit të Çelsit (211) gjatë 13 viteve në “Stamford Bridge”, do të duhet më parë të prishë kontratën me klubin e Championship-it, Derbi Kauntin, me të cilin 40-vjeçari është ende nën kontratë (2- vjeçare). Pronari i “Rams”, Mel Morris, kërkon 4 milionë paund për ta lënë të lirë.

Bisedime në jaht – Por, përse Frenk Lampard do të takohet në jahtin e manjatit rus? Arsyeja kryesore është se pas problemeve të fundit politike mes Londrës dhe Moskës, Anglia nuk i jep vizë për të shkelur në Britani Abramoviçit prej majit të 2018-ës.

Për më tepër, pas largimit të Sarrit drejt Juventusit, blutë e Londrës nuk duan që të mbeten pa trajner për shumë  kohë, pasi do të vështirësonin përgatitjet për sezonin e ri. Lampard pritet të firmosë një kontratë 3-vjeçare. Kështu që takimi final do të mbahet në superanijen e bosit të naftës, i cili është jahti i dytë privat më i madh në botë. Por, në vitin 2010, kur atij iu dorëzuan çelësat, “Eclipse” ishte jahti më i madh në botë.

Ai është një nga “lodrat” më ekstravagante të 52-vjeçarit, i prodhuar nga kompania gjermane “Blohm&Voss” në Hamburg. Ai është 162 metra i gjatë dhe serbatori i tij mban deri në 1 milion litra naftë, çka do të thotë se mund të lundrojë për 6.000 milje pa qenë nevoja për t’u rifurnizuar. Ai ka 9 kuverta dhe ajo në majë ka edhe dy helipadë, brenda së cilëve fshihet një helikopter “Eurocopter EC155” dhe një garazh.

Pishina, sauna, SPAja, dhoma e masazhit, pista e vallëzimit, oxhaku, furra e picës, barbekjuja dhe palestra nuk janë një luks as për jahte më të thjeshtë. Ai akomodon 32 të ftuar dhe një ekuipazh prej 100 personash. Nuk mungon as kinemaja dhe sistemet e specializuara të sigurisë. Xhamat janë të blinduar dhe ka një sistem mbrojtjeje antiraketore të instaluar nga ekspertët gjermanë të “AST”. ”

Eclipse” ka edhe një nëndetëse të vogël që akomodon tre persona, e cila zhytet deri në 50 metra thellësi. Me pak fjalë, është shtëpia lëvizëse e pronarit të Çelsit, të cilën vetëm për ta mirëmbajtur, paguan 40 milionë sterlina në vit. Një tur brenda këtij pallati do ta shijojë edhe trajneri i ardhshëm i bluve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat