Babai i Milot Rashicës e propozon emrin e Stadiumit Kombëtar

Futboll

Babai i Milot Rashicës e propozon emrin e Stadiumit Kombëtar

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 16:12
Stadiumi Kombetar

Babai i Milot Rashicës, Nexhmedini, e ka shfaqur mbështetjen e tij për propozimin që stadiumi i ri i Kombëtares së Kosovës të emërohet “Dardania Arena”, duke shtuar se ky emër i simbolizon rrënjët e paraardhësve.

Tifozët e Kosovës, “Dardanët” përmes një peticioni kanë kërkuar që stadiumi kombëtar, që u prezantua javën e shkuar, të emërtohet “Dardania Arena”.

Në një postim në Facebook, “Dardanët” kanë treguar se i kanë shkruar letër ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe kryeministrit të Kosovës me kërkesën për këtë emër.  Në letër tregohet se iniciativa është përkrahur nga më shumë se 500 tifozë.

Në mesin e njerëzve që kanë shprehur përkrahjen për këtë emërtim është edhe babai i yllit të Kosovës, Milot Rashicës. Nexhmedin Rashica beson se “Dardania Arena” është emërtim më i përshtatshëm sesa emrat e dëshmorëve apo personave të tjerë.

“Një emër që simbolizon rrënjët e të parëve tanë, ku identifikohet e tërë Shqipëria, do të ishte e mirëseardhur. Respekt për shumë dëshmorë, por mjaft me emra të përveçëm. Dardania Arena pa konkurrencë dhe shume zgjedhje e qëlluar”, shkroi Nexhmedin Rashica.

Më parë, djali i Rexhep Abdullahut, Bujari, kishte propozuar që stadiumi i ri ta mbajë emrin e babait të tij. Abdullahu kishte qenë kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës në kohën e paraluftës.

Punimet për ndërtimin e këtij stadiumi, me kapacitet prej 30 mijë ulësesh, pritet të fillojnë këtë vit. Projektin e ka bërë arkitekti turk, Murat Tabllandiogllu.

Sipas projektit të prezantuar, Stadiumi Kombëtar do të ketë restorante, hotele, fusha ndihmëse, parqe e pishina, ndërsa në ndeshjet e Kosovës, stadiumi do të ndriçohet nga ngjyra të kaltra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat