FFK reagon ashpër për garat ilegale të Serbisë në Kosovë

Futboll

FFK reagon ashpër për garat ilegale të Serbisë në Kosovë

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 17:24
FFK-së reagon ashpër për garat ilegale të Serbisë në Kosovë

Federata e Futbollit e Kosovës reagon ashpër ndaj ndeshjeve ilegale në futboll dhe improvizimin e garave në territorin e Republikës së Kosovës nga struktura ilegale në veri të vendit. “FFK ju bën me dije të gjithëve se ky është një mashtrim dhe njëherësh nxitje e problemeve për popullatën në veri të vendit, ngase improvizime të tilla më nuk do të lejohen.

Ditë më parë në mediat serbe bëri bujë lajmi për inkuadrimin e të ashtuquajturit ‘FK Trepça’ nga Mitrovica e Veriut në një rang më të lartë të garave nën ombrellën e Federatës së Futbollit të Serbisë. FFK bën me dije se në institucionet shtetërore dhe sportive të Republikës së Kosovës janë të regjistruara KF “Trepça’89”, që bën gara në Superligën e Kosovës dhe KF “Trepça” që bën gara në Ligën e Parë të Kosovës dhe ato janë klubet e vetme legjitime me këtë emër.

Prandaj, FFK e konsideron ilegal çdo aktivitet të klubeve të paregjistruara në institucionet e shtetit dhe organet e saj dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme të këtyre aktiviteteve, të cilat në masë të madhe e dëmtojnë imazhin e FFK-së por edhe të vet shtetit. FFK do ta shqyrtojë këtë çështje me organet e UEFA-s dhe do të kërkojë sqarim edhe nga Federata e Futbollit e Serbisë, sepse ajo e di fare mirë se nuk i lejohet të organizojë gara në territorin e një vendi tjetër anëtar të UEFA-s.

FFK kërkon nga të gjitha institucionet, presidenti, kryeministri, ministria e sportit dhe grupi negociator për dialog me Serbinë që të reagojnë për këtë çështje në organet ndërkombëtare, pasi veprimet e tilla janë mashtruese dhe qëllimkëqija për popullatën e asaj pjese të qytetit të Mitrovicës me rrethinë. Në rast se edhe në të ardhmen do të ketë aktivitete të tilla pa lejen e FFK-së, atëherë është e domosdoshme ndërhyrja e Policisë së Kosovës për ndalimin e tyre.

Edhe një herë rikujtojmë se Federata e Futbollit e Kosovës është organizata e vetme kompetente që organizon, udhëheqë dhe rregullon garat në futboll në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe është themeluar në principet e frymës sportive dhe ‘fair-play’-t dhe njëherësh si e tillë edhe është anëtarësuar në UEFA e FIFA në maj të vitit 2016.

FFK është e hapur për anëtare të reja dhe fton klubet e të gjitha komuniteteve që funksionojnë në tërë territorin e Republikës së Kosovës që të regjistrohen në institucionet shtetërore të Kosovës dhe të përfshihen në garat që organizohen nga FFK. Njëherësh, FFK, në mbështetje të institucioneve të sigurisë u garanton të gjitha klubeve pjesëmarrëse siguri dhe ‘fair-play’ në gara", thuhet në reagimin e Federatë së Futbollit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat