Agim Ademi me FFK-në i shpallin luftë Serbisë!

Futboll

Agim Ademi me FFK-në i shpallin luftë Serbisë!

Nga: Kemajl Goca Më: 22 qershor 2019 Në ora: 16:16
Agim Ademi me FFK-në i shpall luftë Serbisë!

Garat ilegale të klubeve serbe në Kosovë nuk do të tolerohen dhe shumë shpejt pritet që të merren masa të ashpra nga institucionet përkatëse! Skandali edhe më i madh është se Mokra Gora nga Zubin Potoku dhe tani edhe e ashtuquajtura Trepça e Mitrovicës, po garojnë në ligën e tretë perëndimore të Serbisë.  

Futja e klubeve nga një shtet tjetër në shtetin e Kosovës dhe që të zhvillojnë gara është e papranueshme, e dënueshme dhe shkelje e sovranitetit të Kosovës. 

Ka vite që klubet nga Serbia futen dhe dalin nga Kosova sikur në bahçe të babës, por tani presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, me bordin e tij, janë të vendosur se këtë çështje do ta çojnë deri në UEFA dhe në anën tjetër do të kërkojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, nga institucionet e Kosovës që të marrin të gjitha veprimet konform ligjit që të parandalohen garat ilegale.  

“Ditë më parë në mediat serbe bëri bujë lajmi për inkuadrimin e të ashtuquajturit ‘FK Trepca’ nga Mitrovica e Veriut në një rang më të lartë të garave nën ombrellën e Federatës së Futbollit të Serbisë.
FFK bën me dije se në institucionet shtetërore dhe sportive të Republikës së Kosovës janë të regjistruara KF “Trepça’89”, që bën gara në Superligën e Kosovës dhe KF “Trepça” që bën gara në Ligën e Parë të Kosovës dhe ato janë klubet e vetme legjitime me këtë emër.

Prandaj, FFK e konsideron ilegal çdo aktivitet të klubeve të paregjistruara në institucionet e shtetit dhe organet e saj dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme të këtyre aktiviteteve, të cilat në masë të madhe e dëmtojnë imazhin e FFK-së por edhe të vet shtetit.

FFK do ta shqyrtojë këtë çështje me organet e UEFA-s dhe do të kërkojë sqarim edhe nga Federata e Futbollit e Serbisë, sepse ajo e di fare mirë se nuk i lejohet të organizojë gara në territorin e një vendi tjetër anëtar të UEFA-s”, kështu reagon mes të tjera FFK-ja ditë më parë.

Presidenti Ademi me FFK-në i shpallin luftë Federatës së Futbollit të Serbisë dhe të gjitha klubeve ilegale që veprojnë në Kosovë, se kështu nuk do të iu shkojë dhe do të ndalohen të gjitha aktivitetet që nuk janë nën ombrellën e FFK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat