Festa të shfrenuara, denoncime: kush është Theo Hernandez, mbrojtësi që do Milan-i

Futboll

Festa të shfrenuara, denoncime: kush është Theo Hernandez, mbrojtësi që do Milan-i

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 07:40
Theo Hernandez

Milan-it i pëlqen Theo Hernandez. Takimi në Ibiza mes drejtorit teknik të kuqezinjve, Paolo Maldini, dhe lojtarit ka konfirmuar se mbrojtësi i krahut është drejt largimit nga Real Madrid dhe një nga objektivat e milanezëve. Veçanërisht nëse Milan-i do të vendosë të shesë Ricardo Rodriguez. Në fakt, kuqezinjtë kanë nisur kontaktet me "Los Blancos" pas udhëtimit të Maldini-t në Madrid.

Portreti - Jeta e Theo Hernandez nuk ka qenë kurrë e qetë. Që në fëmijëri dhe që nga zhdukja në Azi e babait futbollist, i cili nuk la as adresë dhe as pará. Gjithsesi, ai ka shfrytëzuar talentin e tij për t'u bërë një futbollist profesionist në Spanjë. Vendlindja e tij është Franca, një vend me të cilin ka një marrëdhënie të përzier me dashuri dhe urrejtje. Në fakt, nga Franca vijnë herë pas here lajme në lidhje me jetën e tij jashtë fushës së lojës. Lajme që flasin për festa të shfrenuara dhe një episod dhune.

Festa - Theo, për shembull, nuk është grumbulluar për Europianin Under 21 që po zhvillohet në Itali. Nuk mund të ndodhte ndryshe, duke parë se në të kaluarën ai ka munguar në dy grumbullime pa dhënë asnjë shpjegim, ndërsa postonte fotografi në Instagram nga Marbella, ku ndodhej me pushime. Më pas ka ardhur denoncimi për dhunë nga ana e një prezantuese të re televizive. Akuza, që gjithsesi janë arkivuar.

Nuk mbaron me kaq, sepse në vazhdim ai ka publikuar në rrjetet sociale fotografitë e festës të zhvilluar për 20-vjetorin e tij, ku janë parë disa xhuxhë të veshur me uniforma të Real Madridi-t dhe me kapele policësh, teksa i drejtonin një pistoletë në kokë. Imazhe këto që kanë shkaktuar shumë polemika në Spanjë, por edhe në Francë, ku e njohin më mirë historinë e dy vëllezërve të lindur në Marsejë, të braktisur në fëmijëri nga babai Jean-François, i cili u arratis në Tajlandë për shkak të borxheve.

Polemika - Theo dhe Lucas, të rritur nga një mama që ka qenë e detyruar të niste gjithçka nga zero, kanë arritur të realizojnë ëndrrat e tyre falë talentit dhe vendosmërisë. Lucas ka fituar një vend te kombëtarja franceze dhe është shpallur kampion botes vitin e kaluar, duke luajtur titullar. Theo ka shkëlqyer në La Liga, duke u transferuar nga Atletico te Real Madrid për 26 milionë euro pas një huazimi tek Alaves.

Gjithsesi, ai nuk ka arritur të sigurojë një vend në formacionin titullar të madrilenëve, i bllokuar nga Marcelo. Sezoni i kaluar në huazim te Real Sociedad, i mbyllur me 24 ndeshje dhe një gol, e ka ndihmuar të përfundojë në shënjestrën e kuqezinjve. Ndoshta për të shkruar në moshën 21 vjeç një faqe më pak të trazuar te jetës dhe karrierës së tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat