La Barcelonën për të luajtur në Kroaci, talenti spanjoll tashmë vlen një mal me para!

Futboll

La Barcelonën për të luajtur në Kroaci, talenti spanjoll tashmë vlen një mal me para!

Më: 2 korrik 2019 Në ora: 15:38
Dani Olmo

Në futbollin modern ëndrrat e futbollistëve të rinj janë të njëjtat: të veshin një ditë fanellën e ndonjë prej klubeve më të mëdhenj e më të pasur, pak rëndësi ka nëse bëhet fjalë për Anglinë, Spanjën, Italina, apo milionat e sheikëve te PSG.

Megjithatë, ka edhe raste të veçanta,si ai i mesfushorit Dani Olmo. Djaloshi i lindur në Terrassa, pak kilometra larg Barcelonës, është rritur në La Masia, por në vitin 2014, vetëm 16 vjeç, vendosi të ndërmerrte një aventurë të re, duke hedhur një hap të çuditshëm, sepse u transferua te Dinamo e Zagrebit.

Aktivizim gradual në rritje, derisa në sezonin 2017/2018 Olmo u bë titullar fiks te Dinamo, ashtu si sezonin e fundit, duke shënuar 8 gola në secilin kampionat dhe duke dhënë asiste me shumicë.

Me 4 tituj kampionë në CV, Olmo ka fituar goxha eksperiencë edhe në kupat e Europës, ndërsa është lojtar kyç te Spanja U21, duke fituar titullin kampion Europe pak ditë më parë, ku u shpall Njeriu i Ndeshjes në finalen kundër Gjermanisë.

Sakrificat ia vlejtën, sepse largimi nga Spanja për aventurën e panjohur në Ballkan ka qenë zgjedhja perfekte për një djalosh që ndoshta në Spanjë nuk do luante kurrë kaq shumë.

Tani Olmo është në shënjestrën e gjithë Europës: e duan Milani, Interi, Chelsea, Arsenali, Dortmundi, Leverkuseni dhe së fundi edhe Manchester United, që flitet se ka ofruar 40 milionë euro.

Në teori Olmo vlen 25 milionë euro, e pakta, por nëse mendohet që Aaron Wan-Bissaka shkoi nga Palace te Manchester United për 55 milionë euro, nuk ka arsye pse Dinamo e Zagrebit të mos kërkojë të paktën 40 milionë për një lojtar gati për futbollin e madh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat