Arjen Robben ishte lojtar i madh, por u eklipsua nga Messi dhe Ronaldo

Futboll

Arjen Robben ishte lojtar i madh, por u eklipsua nga Messi dhe Ronaldo

Më: 5 korrik 2019 Në ora: 10:05
Arjen Robben

4 korriku njihet si Dita e Pavarësisë së SHBA. Për Arjen Robben, kjo datë e vitit 2019 do të mbetet e shënuar, ngaqë mendoi se ishte momenti i duhur për të zyrtarizuar tërheqjen nga futbolli i luajtur. Pasi ka luajtur mbi 500 ndeshje për klubet dhe kombëtaren, anësori holandez ka vendosur të dalë në “pension”, në moshën 35 vjeçare.

Një karrierë e mbushur me trofe, që përfshin tituj kampioni në Angli, Gjermani, Holandë dhe Spanjë. Pas Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, që kanë dominuar gjithçka gjatë dekadës së fundit, edhe për “Topin e Artë”, Robben ka qenë më afër tyre për arritjet mbresëlënëse. Holandezi ka treguar se e meriton një vend krahas më të mëdhenjve. 

Në mënyrë të pashmangshme, kudo që holandezi ka luajtur në karrierën e tij, suksesi e ka ndjekur gjithmonë. Duke filluar në Eredivisie me Groningen, në vitin 2000, si një 16-vjeçar, Robben e përfundoi sezonin e tij të parë me klubin si lojtar i vitit. Duke nënshkruar me PSV dy vite më vonë, ai shënoi 12 gola në 33 ndeshje dhe shijoi titullin e parë në Holandë, çka do ta materializonte shumë here në vijim të karrierës, në disa vende të ndryshme.

Anësori ofensiv u zhvendos te Chelsea në vitin 2004 dhe, pavarësisht nga një numër lëndimesh, arriti të shënojë 7 gola. “Blues” morën titullin e Premier League, diçka që do të përsërisnin edhe në sezonin e ardhshëm. Në tri vite në Angli, Robben fitoi dy tituj kampioni, dy Kupa të Ligës, një “FA Cup” dhe një “FA Community Shield“. Një “palmares”, që çdo lojtar i huaj në Premier League do ta ëndërronte sot.

Real Madridi ishte ndalesa e ardhshme e sulmuesit, ku edhe një herë përjetoi sukses të menjëhershëm. Robben e përfundoi sezonin e tij të parë në Spanjë me titullin e La Liga-s. Ardhja e Ronaldos në “Bernabeu”, ndër të tjerë, e la holandezin në hije. "Nuk ishte vetëm Ronaldo… Perez u kthye si president i klubit, më pas bleu Ronaldon, por edhe Kaka, Benzema dhe Xabi Alonso, - tha Robben për “Goal”, në maj. - Reali shpenzoi kaq shumë para, sa duhej të rimbursonim patjetër para ne të tjerët, që do të largoheshim".

Duke iu përkulur fuqisë së yjeve që e rrethonin, Robben u zhvendos te Bayern Munich. Edhe aty mori shumë pak kohë për të shkëlqyer, pasi përfundoi si golashënuesi më i mirë i bavarezëve në sezonin 2009-2010, fitoi edhe titullin e Bundesligës. Ndërsa suksesi i brendshëm erdhi tepër lehtë për Robben, lavdia europiane ishte më e vështirë. Sidoqoftë, ai ishte gjithmonë i destinuar për të fituar më shumë. 

Në finalen e Ligës së Kampioneve të vitit 2012, kundër Chelsea, mesfushori i krahut të djathtë pësoi zhgënjim, sepse u mund me penallti nga ish-skuadra e tij. Sidoqoftë, ai u kthye përcaktues në vitin e ardhshëm. Robben shënoi golin e fitores në minutën e 89-të. Bayern Munich mundi rivalët e hidhur gjermanë të Borussia Dortmundit 2-1 dhe fitoi Champions-in.

Ishte shfaqje mbresëlënëse e një njeriu, të kundërshtuar fort nga tifozët një vit më parë, pasi humbi penalltinë ndaj Chelsea. Mbështetësit bavarezë e vërshëllyen atë gjatë një ndeshjeje me Bayernin. "Për një moment nuk mund të besoja se çfarë po ndodhte në stadiumin tonë. U trondita”, - tha Robben.

Megjithatë, Robben ishte gjithmonë i destinuar ta merrte veten pas një zhgënjimi të tillë dhe kjo ishte aftësia e tij e lindur. Kur e pa se nuk ishte më i pari fizikisht dhe psikologjikisht, vendosi të largohet nga futbolli i luajtur si një legjendë e vërtetë. Megjithëse luajti rol të rëndësishëm në suksesin e ekipit të tij gjatë viteve, Robben rrallë mori njohjen individuale që meritonte. 

Fakti që ai kurrë nuk ka përfunduar në tre të parët për “Topin e Artë” është vetëm një shembull se si holandezi është injoruar, edhe pas fitimit të Ligës së Kampionëve dhe një “triplete” të brendshme në Gjermani, më 2013. Robben ende nuk e di pse përfundoi i teti atë vit, në votimin për “Topin e Artë”.

Në dukje, është e sigurtë që Robben nuk ka qenë kurrë një lojtar me ambicie individuale. Rastësisht, duke luajtur për Holandën e tij të lindjes, mbetet një nga më të mirët, pavarësisht faktit se asnjëherë nuk fitoi trofe me portokallinjtë. "Kjo mund të jetë një klishe, kur e thua, por në të vërtetë nuk ka gjë më të mirë se të luash për vendin tënd, - tha Robben në njoftimin e tij të daljes në “pension”.

Më në fund vendosa ta lë në vitin 2017 kombëtaren, pas 96 ndeshjeve. Kam luajtur gjashtë gara të mëdha dhe kam qenë kapiten gjatë viteve të fundit me kombëtaren. Për të gjithë ishte një kohë e paharrueshme, që unë gjithmonë do ta kujtoj".

Si një prej futbollistëve më inteligjentë që kanë luajtur në fushat e blerta, gjatë dy dekadave të kaluara, konfirmimi i Robben se po i “vartë këpucët në gozhdë” kishte një ndjenjë mjaft poetike për të. "Është përsëri korrik, koha që një futbollist të përgatitet për sezonin e ardhshëm, por jo më unë, - tha Robben. - Unë i kam shfrytëzuar dy javët e fundit për t’i sistemuar gjërat. Të gjithë e dinë se kam marrë pak kohë, pasi dihet kur e kam luajtur ndeshjen e fundit për Bayern Munich. Tani kam vendosur ta përfundoj karrierën time si një lojtar profesionist. Ky ka qenë pa dyshim vendimi më i vështirë që kam marrë në karrierën time, një vendim në të cilin zemra dhe mendja përplaseshin me njëra-tjetrën”. 

Dhe me këtë lamtumirë të kujdesshme, një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave, është tërhequr nga futbolli i luajtur, por është e sigurt të thuhet se nuk do të harrohet. Ai duhet mbajtur mend gjatë, bashkë me më të mirët e këtij brezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat