Spanja rrëzon nga froni Anglinë, ja milionat e shpenzuara në merkato

Futboll

Spanja rrëzon nga froni Anglinë, ja milionat e shpenzuara në merkato

Më: 6 korrik 2019 Në ora: 13:33
Eden Hazard dhe Joao Felix

Gjigantët e La Liga-s kanë shpenzuar 250 milionë stërlina më shumë se klubet e Premier League këtë verë. Real Madrid, Barcelona dhe Atletico Madrid spikatin më shumë. Më konkretisht, klubet spanjolle të La Liga-s kanë investuar shumën e 745 milionë stërlinave deri më tani në merkato, me Eden Hazard dhe Joao Felix si “qershia mbi tortë”. Kështu bën me dije "The Sun", në analizën përmes shifrave konkrete, që i bën situatës. 

Belgu, ish-lojtari i Chelsea, iu kushtoi “Los Blancos” 150 milionë stërlina, duke përfshirë edhe bonuset, ndërsa Atletico Madrid e bleu për 112 milionë stërlina talentin portugez, Felix. Ylli i ri i Barcelonës, Frenkie De Jong, iu kushtoi 75 milionë stërlina katalanqasve, në total, ndërsa sulmuesi i Real Madridit, Luka Jovic, mbërriti në “Bernabeu” për 52 milionë stërlinave. Edhe Eder Militao ishte një blerje galaktike, për shifrën e 45 milionë stërlinave. 

Ndërkohë, Premier League ka shpenzuar "vetëm" 490 milionë stërlina deri tani, në merkaton e kësaj vere, me mesfushorin e ri të Manchester City, Rodri, blerja më e shtrenjtë. Futbollisti në fjalë u largua nga Atletico Madrid për 63 milionë stërlina. “Spurs” janë bërë “të gjallë” kësaj here në merkato, pas një “agjërimi” të gjatë. Ata e kanë hapur librin e çeqeve, duke nisur me blerjen rekord të klubit prej 55 milionë stërlinave. Fjala është për ish-lojtarin e Lyon, Tanguy Ndombele.

Manchester United ka shpenzuar 50 milionë stërlina për afrimin e ish-mbrojtësit të Crystal Palace, Aaron Wan-Bissaka. Blerja përfundimtare e Mateo Kovacic nga Real Madridi është bërë për 40 milionë stërlina. Kaq ka paguar Chelsea për kroatin. Lëvizje tjetër është ajo e Raul Jiminez (30 milionë stërlina) nga Benfica te Wolves, pas huazimit të përkohshëm.

Ja dhe krahasimi i shpenzimeve në merkato i pesë ligave kryesore në Europë (për momentin)
1. La Liga – 745 milionë stërlina
2. Premier League – 490 milionë stërlina
3. Serie A – 478 milionë stërlina
4. Bundesliga – 465 milionë stërlina
 5. Ligue 1 – 153 milionë stërlina 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat