Felipe: Me Shkëndijen pretendojmë të hyjmë në fazën e grupeve

Futboll

Felipe: Me Shkëndijen pretendojmë të hyjmë në fazën e grupeve

Më: 7 korrik 2019 Në ora: 13:23
Felipe: Me Shkëndijen pretendojmë të hyjmë në fazën e grupeve

Kampioni i Maqedonisë Veriore, skuadra shqiptare Shkëndija e Tetovës ka kompletuar transferimin më të bujshëm në afatin kalimtar veror në vendin tonë, duke firmosur për dy vitet e ardhshme me sulmuesin brazilian Juan Felipe Alves Ribeiro.

Pasi firmosi kontratën me kuqezinjtë 31-vjeçari u prezantua me fanellën e Shkëndijës tek e cila ka vendosur të mbajë numrin 70. Në prononcimin e tij të parë si lojtar i Shkëndijës, braziliani nuk ka fshehur kënaqësinë për këtë marrëveshje, ndërsa zbulon se gjithmonë i ka pëlqyer atmosfera e krijuar nga tifozët e zjarrtë të Shkëndijës.

“Më në fund unë jam lojtar i Shkëndijës. Unë kam luajtur shumë kohë futboll këtu në Maqedoni dhe gjithmonë kur vija këtu në Tetovë të luaj kundër Shkëndijës kisha vibracione të mëdha për publikun.

Sepse më pëlqejnë shumë, janë të mëdhenj, gjithmonë janë shumë të zjarrtë duke mbajtur ekipin me moral të lartë gjithë kohën. Kjo më ka pëlqyer dhe tani unë pres të jem pjesë e kësaj dhe jam këtu të jap më të mirën nga vetja”, shprehet Juan Felipe.

Duke ditur ambiciet e skuadrës braziliani thotë se është i vetëdijshëm përse Shkëndija e solli në skuadër.

“Po unë e dij pse jam këtu. Është ekip i madh dhe për këtë jam këtu për të dhënë më të mirën për të kërkuar titujt, të luajmë në Europa League që është objektiv i madh për ekipin. Gjithashtu për të demonstruar më të mirën nga vetja, ashtu si kam bërë në skuadrat paraprake. Pres të jemi kampion dhe gjërat të shkojnë mirë këtu”.

Braziliani potencon disa herë se gjithmonë me qejf ka luajtur në Tetovë, ndërsa tashmë kur më në fund bëhet pjesë e Shkëndijës u drejtohet tifozëve me premtim për përkushtim maksimal ndaj kësaj fanelle.

“Unë dua të ndjej ato emocione, vibracionet që ndjeja kur vija këtu si oponent dhe tani që jam lojtar i Shkëndijës unë dua t’i ndjej edhe në favorin tim gjithashtu. Unë do të jap më të mirën nga vetja për të realizuar objektivat dhe sigurisht se do t’i kërkojmë dhe do t’i realizojmë pritjet”, shton braziliani.

Duke qenë për katër vite pjesë e elitës së futbollit në Maqedoninë e Veriut, Felipe njeh mirë rrethanat dhe beson se ekipi është i denjë për të realizuar objektivat.

“Sigurisht se po. Unë gjithmonë kam folur me Junior-in, pasi ne jemi miq të afërt dhe kur unë vija në shtëpinë e tij, apo kur ai vinte te unë gjithmonë kemi folur se Shkëndija është skuadër e madhe dhe me kalimin e kohës sigurisht se do të realizojë objektivin e vet të luajë në Europa League. Tani me ardhjen time këtu pres që të arrijmë objektivat të luajmë në Europa League dhe të hyjmë në fazën e grupeve”.

Braziliani në fund ka përsëritur kënaqësinë që firmos me Shkëndijën dhe nëse do pyetej nëse është i vetëdijshëm se bëhet pjesë e klubit më të mirë në Maqedoni, në përgjigjen e tij nuk ka asnjë dilemë.
“Po, sigurisht. E dij se Shkëndija është skuadër shumë e madhe dhe për këtë unë jam këtu. Nëse një skuadër është e madhe, atëherë duhet të ketë lojtarë të mëdhenj gjithashtu”, përfundoi Felipe që paraqet transferimin më të madh në afatin kalimtar të sivjetshëm në futbollin e Maqedonisë së Veriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat