Feronikeli - TNS, kampioni i Kosovës kërkon kualifikimin në raundin tjetër

Futboll

Feronikeli - TNS, kampioni i Kosovës kërkon kualifikimin në raundin tjetër

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 09:32
Feronikeli - TNS

Sot luhet ndeshja e parë kualifikuese e raundit të parë për Ligën e Kampionëve.

Feronikeli do të luajë në Uells ndaj skuadrës së TNS me fillim nga ora 20:00 me kohën tonë lokale.

Skuadra nga Drenasi janë të gatshëm edhe për një triumf tjetër në Evropë.

Ata gjatë ditës së djeshme kanë mbajtur edhe seancën e fundit stërvitore para kësaj ndeshje, ku është parë një motivim i madh nga lojtarët për të triumfuar.

Kujtojmë që kjo xhiro e kualifikimeve për Ligën e Kampionëve luhet me dy ndeshje, prandaj rezultati i takimit të parë është tejet i rëndësishëm për ndeshjen e kthimit në Prishtinë.

Ndërkohë, për ndeshjen ka folur kryetrajneri, Zekirija Ramadani, i cili tha që skuadra do ta japë maksimumin për një rezultat pozitiv në Uells, në mënyrë që të jetë më e lehtë për ndeshjen e kthimit që zhvillohet në Kosovë.

“Ekipi ishte e lodhur nga udhëtimi, prandaj dje bëmë një stërvitje të lehtë, kurse sot jemi më të çlodhur  dhe stërvitjen do ta zhvillojmë në kohën kur edhe do të fillojë ndeshja të martën, në orën 19:00 (ora 20:00 me kohën tonë)”

“Jemi akomoduar mirë, kushtet janë shumë të mira, në një hotel me pesë yje dhe tani ndihemi më të çlodhur”

“Duam ta japim maksimumin për një rezultat pozitiv, pasi që do të ishte shumë më mirë për ndeshjen e kthimit. Fusha ku do të zhvillohet ndeshja është me bari artificial, por shpresoj që nuk do të jetë problem, pasi që edhe gjatë javës në Kosovë kemi stërvitur në fushë artificiale”, tha Ramadani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat