Partizan barazon me Qarabagun

Futboll

Partizan barazon me Qarabagun

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 19:32
Partizan barazon me Qarabagun

Partizani nga Tirana debutoi në eliminatoret e Champions League në futboll, duke u ndarë një barazim pa gola (0:0) në sfidën përballë gjigantëve azerë të Qarabagut, në sfidën e zhvilluar në “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.

Kampionët e Shqipërisë vinin në këtë takim me një trajner të ri, si italiani Lerda, por me pak ndryshime nga skuadra që riktheu titullin pas 26 vitesh, teksa Willian Cordeiro, Esin Hakaj dhe Bitri ishin emrat e rinj.

Pjesa e parë nisi me Qarabagun më kërkues, por Lerda e kishte ngritur mirë “murin e kuq” në prapavijë, duke sprapsur thuajse çdo rrezik në kuadratin e Alban Hoxhës, ndonëse në një moment iu desh edhe fati në krah, për të mos pësuar.

E nëse mbrojtja ishte në lartësinë e duhur, sulmi ishte ai që çaloi në 45 minutat e para, teksa shkëndijën e vetme të kampionëve të Shqipërisë e dha Jasir Asani, me një depërtim të shpejtë nga krahu, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit.

Një Partizan më kërkues u shfaq në pjesën e dytë dhe ishte menjëherë Egzon Belica, që pas një goditjeje nga këndi, gjuajti bukur me kokë, por topi u përplas në traversën e portës së Qarabagut, ndërsa në vijim të aksionit, gjuajtja e Cordeiro u bllokua nga Wagner.

Edhe në vijim Partizani zbriti disa herë në gjysmëfushën kundërshtare, por nuk arriti të kërcënojë seriozisht portën e azerëve, të cilët nga ana e tyre tentuan të largoheshin me fitore nga Tirana, por nuk e thyen barrikadën e kuqe. Çështja e kualifikimit shtyhet për në Azerbajxhan, kur më datën 17 korrik do të luhet ndeshja e kthimit mes Qarabagut dhe Partizanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat