Kumanova gjithmonë ka qenë vatër e talenteve, e këtë së fundmi më së miri e dëshmoi edhe futbollisti i ri, Atdhe Kadriu, shkruan gazeta Lajm nga Maaqedonia Veriore. Ai vjen nga shkolla e futbollit Milano e Kumanovës, kurse prej disa ditësh është bërë pjesë e shkollës së futbollit Shkëndija nga Tetova.
Kadriu është i lindur me 20 mars 2004 dhe luan në rolin e sulmuesit.
Te Milano ka qenë plotë pesë vite, ku për trajner e kishte Ismet Zeqirin.
Në sezonin e fundit, Kadriu për Milanon shënoi 35 gola në 33 ndeshje.
Atij shpesh i ka ndodhur që të luaj edhe për gjeneratën një vit më të vjetër, asaj të vitit 2003.
Me shkathtësitë e tij në fushën e lojës ka bërë që interesimi i klubeve të ndryshme për Kadriun të rritet, ku më e shpejtë është treguar Shkëndija.
Ka qenë drejtori i shkollës së klubit tetovar, Erhan Selimi që e ka pëlqyer futbollistin dhe i cili ka dhënë dritë jeshile që Atdheu të bëhet pjesë e shkollës së futbollit Shkëndija.
Kadriu, atje do të luaj për gjeneratën U15, ndërsa për trajner do ta ketë Bashkim Arifin, ishfutbollistë i klubit tetovar.
Ëndrra Atdhe Kadriut është të luaj për ekipin e parë të Shkëndijës si dhe për ndonjë klub të madh europian.
Nga lojtarët e huaj, ai e admiron sulmuesin e PSG-së, Kylian Mbappe.