Më në fund rifilluan punimet për rregullimin e stadiumit!

Futboll

Më në fund rifilluan punimet për rregullimin e stadiumit!

Nga: Aziz Zuka Më: 12 korrik 2019 Në ora: 16:44
Më në fund rifilluan punimet për rregullimin e stadiumit!

Pas një trysnie mbase mediatike, por edhe institucionale nga komuna e Vitisë për të bërë diçka rreth zhbllokimit të gjendjes së krijuar, për zvarritjen e punëve në realizimin e projektit komunal për rivitalizimin e stadiumit të futbollit ‘Ibrahim Kurteshi’ në Pozharan, ku i zhvillon ndeshjet KF Vllaznia, po nga ky lokalitet, anëtare e Ligës së Parë të Kosovës dhe ish anëtarë i Superligës së Kosovës, më në fund u gjet mirëkuptimi dhe MKRS-ja ka marrë përsipër se do të siguron mjetet financiare siç edhe ka premtuar për çka në prani të përfaqësuesve të institucioneve të Vitisë, të prirë nga kryetari i komunës Sokol Haliti, kanë rifilluar punimet në ndërtimin e stadiumit të futbollit ‘Ibrahim  Kurteshi’.

Haliti, i shoqëruar edhe nga kryesuesi i Kuvendit komunal Naim Pira, kanë parë nga afër fillimin e punimeve në fushë. Kryetari Haliti ka folur rreth punës së institucioneve komunale dhe për angazhimin e tyre në rregullimin e këtij stadiumi, duke potencuar se kjo fushë do të jetë e gatshme në fillim të sezonit vjeshtor, kur edhe fillojnë ndeshjet futbollistike.

“Në këtë projekt përfshihen të rregullohet fusha, tribunat dhe zhveshtoret, ndërkaq shpresojmë që fusha të jetë e gatshme më 15 gusht 2019. Ne si Institucione komunale, mbetemi të përkushtuar që të krijojmë hapësira të mira për zhvillimin e disiplinave sportive”, ka thënë Haliti në prani të menaxherit të operatorit ekonomik që është përzgjedhur për realizimin e këtij projekti. Edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal është shprehur i kënaqur me fillimin e punimeve në këtë stadium.

Ai gjithashtu ka theksuar se shpresojmë që të punohet me dinamizëm që Klubit “Vllaznia” ti mundësohet që sa më parë të zhvilloj ndeshjet në këtë fushë të veten. Ardian Kurteshi, kryetar i KF Vllaznia është shprehur i gëzuar se më në fund punët e filluara që nga maji i vitit të kaluar kur nisi së ndërtuari objekti i zhveshtoreve do të përfundojnë më në fund dhe sa më shpejtë që është e mundur.

Image

Ndërkaq administratori i Pozharanit Ilir Zuka, ka vlerësuar rifillimin e punimeve të ndërtimit të stadiumit, duke potencuar se lojtarët e KF Vllaznia , nuk do të kenë më nevojë që ndeshjet ti luajnë në terrene të komunave fqinje, por do t’i zhvillojnë para shikuesve të vet. Në këtë stadium deri me tani stërvitjet dhe ndeshjet i ka zhvilluar KF Vllaznia, e që tani e disa vite bënë gara në Ligën e Parë të Kosovës. Ndërtimi i stadiumit në Pozharan, është pjesë e memorandumit mes komunës së Vitisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në të cilin projekt ishte i përfshirë edhe Stadiumi i Qytetit të Vitisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat