Fazliu kërkon kujdes në ‘Fadil Vokrri’ kundër ekipit nga Uellsi

Futboll

Fazliu kërkon kujdes në ‘Fadil Vokrri’ kundër ekipit nga Uellsi

Nga: Kemajl Goca Më: 14 korrik 2019 Në ora: 14:45

Feronikeli nga Drenasi, kampion dhe fitues i Kupës së Kosovës, me qetësi e pret ballafaqimin me skuadrën nga Uellsi, The New Saints (TNS), në kuadër të ndeshjes së kthimit të rrethit të parë eliminatorë të Champions League në futboll. ‘Nikli’ është i mobilizuar në çdo aspekt për këtë sfidë të madhe.

Barazimi me rezultat 2:2 në ndeshjen e parë, gjithsesi se i motivon edhe më shumë futbollistët e kampionit të Kosovës, për faktin se edhe me barazim 0:0 ose 1:1 e sigurojnë kalimin më tutje.

‘Nikli’ kualifikimin e ka në dorë, por në anën tjetër është shumë i kujdesshëm,, kur kihet parasysh se TNS si mysafirë është jashtëzakonisht e rrezikshme. Atmosfera në kampin e kampionit është e shkëlqyeshme dhe të gjithë janë të motivuar për fitore kundër kampionit të Uellsit.

Jo vetëm qyteti i Drenasit është në ethe të kësaj sfide të madhe, sepse secili e ka parasysh se në garat e mëdha evropiane, siç është Champions League, nuk çon edhe fortë peshë përparësia e terrenit.

Të martën në mbrëmje (me 16 korrik, në orën 20.45) pritet që të mbushet me tifozë stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të cilët do të janë edhe lojtari i 12-të për ‘Niklin’. Zekirija Ramadani, kryetrajner i Feronikelit, ka bërë një punë të madhe dhe si fryt i kësaj edhe po korrin rezultate të mira, pasi që për të ardhur deri këtu skuadra e tij ka eliminuar dy skuadra tjera në turneun parakualifikues.

Image

Së pari e ka mposhtur me 1:0 Lincoln Red Imps nga Gjibraltari dhe pastaj me rezultat 2:1 Santa Coloman e Andorrës. Sulmuesi më i mirë në vendin tonë, Astrit Fazliu, beson e shpreson se me skuadrën e tij, Feronikeli, do të arrijnë që të kualifikohen dhe të sjellin gëzim të madh te dashamirët e futbollit në Kosovë.

Ai e vlerëson shumë rezultatin në Uells dhe mendon se është një përparësi. “Mendoj se kemi bërë punë të mirë në Uells, rezultat që shpresoj se ka me na ndihmuar shumë në ndeshjen e kthimit. Do të jemi maksimalisht të koncentruar, me një disiplinë shumë të lartë, që të mbajmë at rezultat, pse edhe mos të fitojmë.

Ata (TNS) siç dihet vijnë veç për fitore dhe nuk kërkojnë asgjë tjetër, por ne duhet të jemi të kujdesshëm”, tha Fazliu për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Fazliu tha se rivali është ekip e mirë: “Mendoj se TNS është një ekip shumë e mirë, ndërsa ne si përparësi e kemi vetëm terrenin vendas dhe luajmë para shikuesve tanë. Shpresoj se do të ketë shumë shikues në stadium, sepse kjo ndeshje është e madhe edhe për shtetin tonë”.  

Sulmuesi shprehet se sfidën do të marrin me një seriozitet të madh: “Mendoj se ketë ndeshje do të marrim me seriozisht se atë të parën, kur dihet se ata vijnë me sulmuar! E jona është të bëjmë maksimumin dhe të kualifikohemi. Pikat më të forta tona janë se jemi të komponuar dhe komplet në të gjitha repartet”.

Atmosferë dhe mobilizim i madh të Feronikelit. “Atmosfera është shumë e mirë pas atij barazimit, jemi shumë të mobilizuar”, nënvizoi ai. Fazliu komenton edhe golin që realizoi nga penalltia dhe barazoi rezultatin 2:2.

“Ai gol ka qenë shumë i rëndësishëm, që mund edhe të na kualifikojë. E jona është që të përgatitem sa më mirë për sfidën e të martës”, ka thënë Fazliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat