Çfarë thotë Sermaxhaj për Feronikelin dhe Shkëndijen?

Futboll

Çfarë thotë Sermaxhaj për Feronikelin dhe Shkëndijen?

Nga: Kemajl Goca Më: 14 korrik 2019 Në ora: 16:37
Genc Sermaxhaj

E marta e 16 korrikut është shumë e rëndësishme për skuadrat shqiptare në garat evropiane. Përderisa kampioni i Kosovës, Feronikeli e pret TNS-n nga Uellsi, kampioni i Maqedonisë Veriore, skuadra shqiptare Shkëndija nga Tetova, ndeshet me Kalju-n nga Estonia, në kuadër të ndeshjes së kthimit të rrethit të parë eliminatorë të Champions League.  

Te dyja ndeshjet luhen të martën, e para në orën 20.45 në ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë dhe e dyta, në orën 17.00 në stadiumin në Shkup. Feronikeli ka luajtur baras (2:2) në takimin e parë në Uells, kurse Shkëndija ka fituar me 1:0 në Estoni.

Analisti i futbollit Genc Sermaxhaj, tha se si Feronikeli po ashtu edhe Shkëndija, kanë bërë hap të madh drejt rrethit të dytë. “Feronikeli ka bërë një hap të madh dhe është shumë afër që të kaloj raundin e parë të parakualifikimeve të Champions League. Të arrish barazim në udhëtim ndaj ekipit më të mirë uellsian TNS, është sukses mjaft i madh ku përveç rezultatit Feronikeli ka bërë lojë shumë të kujdesshme, taktikisht shumë mirë dhe me plot meritë u kthye me rezultat pozitiv.

Të martën Feronikelit edhe barazimi 0:0 dhe 1:1, i konvenon, duhet të jenë sërish të kujdesshëm, të menaxhojnë lojën dhe të angazhohen maksimalisht që ta kalojnë këtë raund. Besoj shumë tek loja që futbollistët po e bëjnë, tek rezultati pozitiv, tek kualifikimi tutje, dhe nëse kjo gjë arrihet gjë që besoj shumë, atëherë Feronikeli bëhet ekipi i parë që kalon këtë raund prej ekipeve tjera kosovare që kanë marrë pjesë deri me tani në parakualifikime.

Gjithashtu edhe ekipi i Shkëndijes është një hap pranë kalimit të këtij raundi, duhet të jetë e kujdesshme sepse në futboll nuk dihet deri në sekondën e fundit. Gjithçka është e hapur në të dyja ndeshjet por besoj shumë tek ekipet tona dhe paraqitjet e tyre sa më pozitive”, tha Sermaxhaj për gazetën kombëtare “Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat