Feronikeli bie nga Champions League!

Futboll

Feronikeli bie nga Champions League!

Nga: Kemajl Goca Më: 16 korrik 2019 Në ora: 21:10
Çfarë po ngjan në

Kampioni i Kosovës, Feronikeli nga Drenasi, bie nga garat e Champions League. ‘Nikli’ mposhtet me rezultat 1:0 nga TNS,  në ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues të Champions League në futboll.

Ballafaqimi i parë në Uells kishte përfunduar 2:2, ndërsa i kthimit me shifrat 1:0 në favor të TNS-së, duke u kualifikuar me rezultat të përgjithshëm 3:2 në rrethin e dytë.

Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, atmosferë e shkëlqyeshme, rreth 8 mijë shikues, panë lojë mesatare mes Feronikelit dhe kampionit të Uellsit, TNS. Mysafirët u treguan të rrezikshëm dhe arritën që të shënojnë në periudhën e dytë të lojës dhe që i mjaftoi për kualifikim.

Pa dyshim se TNS si gjithmonë është e papërshtatshme si mysafire ashtu edhe ndodhi. Formën e mirë djemtë e Zekirija Ramadanit e shfaqën qysh në fillim të ndeshjes, kur Besmir Bojku e bëri një goditje të mirë në drejtim të portës, pas një depërtimi të mirë të Mendurim Hotit. Megjithatë, ky rast i krijuar qysh në minutën e tretë nuk u konkretizua në gol.

Njëri ndër rastet më të mira në 45 minutat e para të lojës i erdhi Albert Dabiqajt, në minutën e dytë shtesë të pjesës së rregullt. Mirëpo, goditja e tij nuk shkoi brenda portës. Në minutën e 67-të, zëvendësuesi Dean Ebbe shtang kampionin e Kosovës.  Ai me qetësinë e tij godet me kokë dhe shënon golin e fitores.

Në minutën e 72-të, Draper në pozitë ideale për të dyfishuar rezultatin por portieri Smakiqi ka reaguar për mrekulli, duke shpëtuar portën e tij. Pas golit të pësuar Feronikeli lufton me mish e më shpirt për të barazuar rezultatin, pasi që hasi në një mbrojtje mirë të organizuar nga TNS. Në minutën e 73-të, Carioca Jean futet në lojë dhe i jep edhe më shumë frymë lojës së kampionit të Kosovës, duke shtuar presionin në drejtim të portës së rivalit, por pa sukses.  

Djelmoshat e kryetrajnerit Zekirija Ramadani luftuan deri në fund, por dot nuk e gjetën golin e barazimit, golin e kualifikimit në rrethin tjetër, kështu që tani duhet të garojnë në një nivel tjetër përkatësisht në garat e Europa League. TNS arriti qëllimin e saj, duke e siguruar kualifikimin në rrethin e dytë të Champions League.

Rreth 8 mijë shikues të zhgënjyer u larguan nga stadiumi “Fadil Vokrri”.   Megjithatë ‘Nikli’ luajti mjaft mirë por i pafat që të shkruajë historinë në garën më prestigjioze në Kontinentin e Vjetër.   

Feronikeli-TNS    0:1
Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, Prishtinë.
Shikues: 8.000.
Gjyqtar: E. Eskas (Norvegjia). 
Shënues: Ebbe (67’).
Kartonat e verdhë: Bojku, Hoxha, Malaj, Fazliu, Lladrovci – Edwards, Routledge.
Feronikeli: Smakiqi, Islami, Prekazi, Lladrovci, Hoxha, Bojku (Malaj 82’), Dabiqaj, Zeka (Topalli 64’), Fazliu, Hoti (Carioca Jean 73’) dhe Rexha.
TNS: Harrison, Draper (Nembhard 80’), Brobbel, Routledge, Davies, Spender, Edwards, Mullan, Cieslewicz (Ebbe 66’), Redmond dhe Harrington.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat