Klopp, i brengosur për Manen

Futboll

Klopp, i brengosur për Manen

Më: 18 korrik 2019 Në ora: 10:17
Sadio Mane

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, është i shqetësuar për Sadio Manen që nuk ka pothuajse fare mundësi për të pushuar para se të fillojë sezoni i ri.

Pas një sezoni 2018/19 të vështirë me Liverpoolin, fituesi i Këpucës së Artë të Premierligës, Sadio Mane, i shënoi tri gola për t’i ndihmuar Senegalit të shkojë deri në finale të Kupës së Kombeve të Afrikës.

Ndeshja e së premtes kundër Algjerisë në Egjipt do të jetë fundi i sezonit, që zgjati rreth 12 muaj, për 27-vjeçarin, i cili luajti për ekipin e tij kombëtar edhe në Kupën e Botës së vitit të kaluar.

Sezoni i Liverpoolit nis më 4 gusht me përballjen e Community Shield kundër kampionit të Premierligës, Manchester Cityt, në stadiumin kombëtar të Anglisë, “Wembley”.

Pastaj, skuadra e Kloppit do të përballet me klubin e sapo promovuar në ligë, Norwich Cityn, që do të udhëtojë në Anfield më 9 gusht për ndeshjen hapëse të sezonit 2019/20 të Premierligës.

Kloppi është i vetëdijshëm që Mane nuk ka pasur kohë të pushojë fare këtë verë, duke e konfirmuar se klubi anglez ende nuk ka vendosur se sa pushim mund t’i japë Manes, pasi që tashmë pjesa tjetër e Liverpoolit veçse e ka filluar turneun parasezonal.

“Sa i përket Sadios, ne do ta shohim se çfarë do të bëjmë për të pas finales – si po ndihet ai dhe gjëra të tilla”, u shpreh Kloppi në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të Liverpoolit.

“Do të jetë shumë e vështirë. Sezoni i tij përfundon vetëm 16 ditë para se ne të luajmë kundër Manchester Cityt. Do të duhet ta marrim një vendim, por nuk e kemi bërë këtë ende”.

Përderisa data e kthimit të Manes në skuadër nuk është caktuar ende, Kloppi – skuadra e së cilit është në turne parasezonal në SHBA – zbuloi se Mohamed Salahu, Roberto Firmino dhe Alissoni do t’i bashkohen kampit stërvitor në korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat