Kosovare Asllani falënderon tifozët e Real Madridit për mbështetjen

Futboll

Kosovare Asllani falënderon tifozët e Real Madridit për mbështetjen

Më: 20 korrik 2019 Në ora: 08:30
Kosovare Asllani

Pasi u bë futbollistja e parë e transferuar në ekipin e vajzave të Real Madridit, që sapo është krijuar, mesfushorja Kosovare Asllani i ka falënderuar tifozët e klubit madrilen për mbështetjen që ia kanë dhënë asaj.

Futbollistja e Suedisë, me prejardhje nga Kosova, iu bashkua të enjten edhe zyrtarisht klubit më të ri të grave në Spanjë, Real Madridit, duke u bërë blerja e parë në histori të të bardhave.

“Faleminderit madridistë për mbështetjen tuaj. Shihemi së shpejti”, shkroi Asllani në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram.

Real Madridi arriti marrëveshje me CD Tacon, klubin që sezonin e kaluar e siguroi promovimin në La Liga Iderdrola. Sipas marrëveshjes, Reali e bleu një vend në ligën e nivelit të parë të futbollit të vajzave në Spanjë. Marrëveshja është në vlerë prej gjysmë milioni euro.

Asllani, e cila u transferua nga klubi suedez Linkoping, mezi pret ta nisë rrugëtimin e ri dhe ndërtimin e historisë së një klubi të ri.

Atletico Madrid, Barcelona, Real Sociedadi, Athletic Club, Espanyol, Valencia, Sevilla, Real Betis dhe Levante janë disa ndër klubet që garojnë në nivelin e parë të futbollit të vajzave në Spanjë.

29-vjeçarja shkëlqeu në Kupën e Botës këtë verë, duke i ndihmuar Suedisë ta fitojë vendin e tretë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat