Shqiptari i Kosovës lutet që të shënojë në Beograd kundër Cërvena Zvezdës - Bota Sot
Shqiptari i Kosovës lutet që të shënojë në Beograd kundër Cërvena Zvezdës

Futboll

Shqiptari i Kosovës lutet që të shënojë në Beograd kundër Cërvena Zvezdës

Më: 23 korrik 2019 Në ora: 11:01
Shqiptari i Kosovës lutet që të shënojë në Beograd kundër Cërvena Zvezdës

Erfan Zeneli nuk i trembet udhëtimit në Beograd, madje shkon me krenari.

Por edhe HJK Helsinki nuk ka rënë në presionin e  mediave serbe sikur Liverpooli vitin e kaluar kur se mori me vete Xherdan Shaqirin. Erfan Zeneli do të jetë pjesë e ekspeditës së kampionit të Finlandës për ndeshjen në Beograd ndaj Crvena Zvezdës.

Futbollistit nga Kosova Erfan Zeneli po i ndodh që për herë të dytë në karrierë të luaj kundër një skuadre serbe. Në vitin 2010 me HJK Helsinki kishte luajtur kundër Partizanit (ishin eliminuar), ndërsa pas nëntë vitesh sërish udhëton në Beograd për tu përballur me Crvena Zvezdën në stadiumin “Rajko Mitiç”, ditën e mërkurë.

Ekspedita e HJK të hënën niset për në Beograd, ndërsa Erfan Zeneli para nisjes për në kryeqytetin serb ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetën Lajm të Maqedonisë së Veriut. 
Sulmuesi 32-vjecar e di se e pret një ndeshje e nxehtë dhe me tensione nga lojtarët dhe tifozët. Ai tregon se ende i ka të freskëta fyerjet e tifozëve serb në ndeshjen kundër Partizanit në Beograd.
“E di se çfarë ndeshje na pret, jam i përgatitur për gjithçka.

Edhe në vitin 2010 kur patëm luajtur me Partizanin në Beograd tifozët kur kuptuan emrin tim filluan me fyerje dhe të bërtasin kundër Kosovës. Por, unë nuk merrja me ta, shikoja punën time në fushën e lojës”, e nis rrëfimin Zeneli. 

Sulmues tregon se kur shorti i vuri përballë HJK Helskinki dhe Zvezdën, drejtues të klubit e kanë pyetur nëse dëshiron të udhëtojë në Beograd ose jo.

“Po, më kanë thënë se nëse ndjehem i pasigurt ose kërcënuar mund të mos udhëtojë, por ju thash se dua të shkojë. Nuk kam frikë, sepse po shkojë të luaj futboll dhe asgjë tjetër. Prej futbollistëve kundërshtarë nuk pres diçka të keqe, ndërsa vërshëllimet e tifozëve serb vetëm se më motivojnë më shumë”, thotë ai.
Zeneli tregon se çka ju ka thënë bashkëlojtarëve të tij para udhëtimit në Beograd: 
“Të gjithë e dinë situatën time. Nga ata kam kërkuar që të japin maksimumin dhe të luajnë edhe për hatrin tim. Ju kam thënë se në këtë ndeshje të gjithë shqiptarët bëjnë tifo për ne”.
Duke folur për shanset e HJK në këto dy ndeshje, Zeneli thotë: “Do të jetë shumë vështirë për të parashikuar fituesin, sepse Zvezda ka ekip të mirë.  I kam parë ca video të tyre. Luajnë mirë, por them se edhe ne jemi një ekip shumë i mirë. Shumë do të varet se çfarë rezultati do të nxjerrim në Beograd, e pastaj në fushën tonë i pret një ferr i vërtetë”.
Ai tha se nuk ka lexuar mediet serbe, të cilat druajnë se nëse shënon gol Zeneli do të festoj me shqiponjë.
“Ha, ha, (qeshet) Inshalla do Zoti e të shënoj, e pastaj shohim. Festimi i golit është ndjenjë e momentit”, tregon sulmuesi me përvojë.
Erfan Zeneli është nga Vushtrria. Familja e tij në vitin 1993 kishin emigruar në Finlandë tek vëllai i tij më i madh për një jetë më të mirë. Atëherë Zeneli ishte 6 vjeç.
Erfan Zeneli është i martuar dhe ka një vajzë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...