Shkëndija synon përmbysjen në Luksemburg

Futboll

Shkëndija synon përmbysjen në Luksemburg

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 11:10
Osmani e Ibrahimi

Trajneri Qatip Osmani dhe Agim Ibraimi folën para mediave në konferencën për shtyp para takimit të kthimit me F91 Dudelange.

Shkëndija nga Tetova ka mision të vështirë, por jo të pamundur në transfertën me F91 Dudelange të martën në Luksemburg. Kuqezinjtë kërkojnë përmbysje të negativës 1:2 nga ndeshja e parë në Shkup dhe brenda skuadrës ekziston besimi se ekipi është i aftë për të marrë rezultat që do të mundësonte avansimin në raundin e tretë të eliminatoreve të UEFA Europa League.

Qatip Osmani, tha:  “Pas ndeshjes së parë kemi analizuar takimin dhe konstatuam se ne humbëm shumë raste shënimi por thjesht fati nuk na deshti. Tash kemi sfidën e kthimit dhe asgjë nuk është e humbur. E kam thënë që pas ndeshjes së parë se Shkëndija do të kërkojë të anulojë negativën 1:2. Gjatë javës kemi punuar për të qenë në nivel për të fituar, ashtu që mendoj se jemi të vetëdijshëm edhe ne si staf teknik, por edhe lojtarët për rëndësinë e ndeshjes së sotme”.

Agim Ibraimi: “Normal ne jemi profesionistë dhe jemi të vetëdijshëm se nuk ka përfunduar asgjë në ndeshjen e parë. Mendoj se eksperienca jonë duhet të bëjë diferencën. Kemi parë se në Shkup demonstruam lojë të mirë, këtë e panë edhe lojtarët e F91 Dudelange, mirëpo është rezultati që luan rol kyç në këto kompeticione dhe ne duhet tani aty të marrim atë që duam. Do hymë me bindje, me qetësi, kemi atmosferë shumë të mirë dhe as që dyshoj në triumfin tonë”.

Qatip Osmani, theksoi “Sot  më shumë se çdo gjë tjetër do të na duhet të kemi qetësi në lojë. E dyta është se në këto ndeshje europiane kemi shënuar vetëm nga penaltia. Mendoj se na duhet goli, një gol posaçërisht edhe në fillim të ndeshjes do të ndikonte për të kthyer vetëbesimin. Por mendoj se në ekip kemi lojtarë kualitativ, lojtarë që edhe individualisht dijnë ta zgjidhin lojën.

Prandaj them se kundërshtari ka epërsi nga ndeshja e parë në Shkup, por edhe ne kemi llogaritë tona për të shkuar në raundin tjetër. Formacionin nuk e kemi vendosur, por nuk priten shumë ndryshime”. Ndeshja Dudelange-Shkëndija luhet sot në orën 17.55.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat