Hazard tërbon madrilenët

Futboll

Hazard tërbon madrilenët

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 11:38
Hazard tërbon madrilenët

E dini cila është çmenduria më e madhe që ka bërë Eden Hazard në karrierën e tij? Ka kërkuar leje nga kombëtarja belge për të lënë grumbullimin dhe për të ngrënë një hamburger.

Diçka të tillë e ka konfirmuar në një intervistë pak vite më parë. Duket se dashuria për hamburgerin ka vazhduar edhe ditët e sotme, pasi belgu i Realit të Madridit duket se e ka tepruar gjatë pushimeve dhe është paraqitur në Madrid mbipeshë. Diçka që është kaluar si pa u vënë re, por në fakt mjaftuan tri ndeshje të dobëta të Realit dhe të vetë lojtarit belg për të kthyer menjëherë vëmendjen nga ai.

Gazetat spanjolle raportojnë se ai i ka zhgënjyer të gjithë drejtuesit dhe trajnerin e Realit të Madridit kur është paraqitur në stërvitjet e para. Hazard është transferimi më i shtrenjtë i historisë së Realit të Madridit duke lënë pas Garet Bejlin dhe Kristiano Ronaldon, por duket se fillimi nuk është i duhuri. Prezantimi i tij në “Santiago Bernabeu” u bë i jashtëzakonshëm, por në fushën e lojës ishte shumë larg pritshmërive.

PËRGATITJE- Eden Hazard nuk është shquar ndonjëherë si futbollist me muskuj dhe shumë i bukur në këtë aspekt, por ka pasur gjithmonë forcë dhe ia ka dalë me sukses të përplaset dhe të pësojë faulle në një nga kampionatet më fizike të Europës si Premier Liga. Ai do të nisë një plan stërvitor me përgatitësin atletik Gregori Dypo për të gjetur formën e humbur dhe për të larguar kilet e tepërta nga trupi i tij.

Të gjithë sytë e tifozëve dhe trajnerit janë nga belgu 28- vjeçar, i cili duhet të udhëheqë formacionin madrilen në sezonin e ardhshëm drejt sukseseve në Spanjë dhe në Champions. Në 3 ndeshjet e para miqësore nuk ka arritur të shënojë asnjë gol, edhe pse ka dhënë shkëndija deri diku pozitive. Megjithatë, për një lojtar si ai nuk janë të mjaftueshme vetëm asistet.

Priten vetëm gola, madje shumë të tillë për të bërë të lumtur tifozët e Realit të Madridit, të cilët mendojnë e kanë gjetur Kristiano Ronaldon e ri. Paraqitjet negative të të gjithë skuadrës kanë bërë që edhe Hazard të kritikohet. “Nuk është problemi i tij. E gjithë skuadra nuk ka qenë mirë”, thotë Zidan. Hazard duhet të heqë dorë nga hamburgerët dhe të mbajë një dietë për të mirën e tij dhe të skuadrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat