Puyol: Real-i më kërkoi dy herë, por unë i thashë...

Futboll

Puyol: Real-i më kërkoi dy herë, por unë i thashë...

Më: 31 korrik 2019 Në ora: 17:57
Carles Puyol

Merkato e futbollit është e çmendur, por ka disa operacione që do të ishin të vështira edhe për t'u imagjinuar. Mjafton të mendosh për Totti-n me fanellën e Lazio-s ose Gerrard me atë të Manchester United për të kuptuar se disa ide të merkatos nuk mund t'i shkojnë në mendje as një shkrimtari librash fantastiko-shkencorë.

Kur është në mes një rivalitet i madh, edhe vlerat teknike kalojnë në plan të dytë. A mund të luajë Sergio Ramos te Barcelona? Sigurisht, por është pothuajse e pamundur të imagjinohet një ofertë e katalanasve për kapitenin e madrilenëve. Do të ishte sikur disa vite më parë Real Madrid të kishte kërkuar të merrte simbolin e katalanasve, Carles Puyol.

Gjë... që ka ndodhur.  Ka qenë vetë ish-mbrojtësi që e ka zbuluar gjatë një emisioni televiziv që do të transmetohet këtë javë dhe disa pjesë të së cilit janë zbuluar nga "Mundo Deportivo".

"Kanë kërkuar të më marrin dy herë, por unë luaja për skuadrën më të mirë të botës. Më pas doja të fitoja trofe me fanellën e Barçës, kështu që kam thënë jo dhe kam qëndruar në Camp Nou. Oferta e parë ka ardhur një sezon pas mbulimit që i kam bërë Figo-s".

Flitet për sezonin 2001/02, duke parë se ndeshja e parë e portugezit si kundërshtar në Barcelonë ka qenë më tetorin e vitit 2000. Në atë rast, ka qenë pikërisht një Puyol i ri që ka markuar Topin e Artë. Paraqitja e tij duket se është pëlqyer shumë nga drejtuesit e Real, por ata nuk kanë arritur ta bindin Carles-in.

Tentativa e dytë ka qenë në 2004-ën: "Real-i mori si trajner Camacho-n, që donte të merrte në Madrid mua dhe Ronaldinho-n". Një skenar i pamundur, veçanërisht për ish-numrin 5, i cili ka fituar La Liga-n e parë në atë sezon dhe ka trashëguar shiritin e kapitenit nga Luis Enrique.

Ku i dihet si do të kishte ndryshuar historia e futbollit nëse Puyol do të kishte pranuar. Bashkëpunimi me Sergio Ramos, siç tregon koleksioni i trofeve të Spanjës, nuk do të kishte qenë edhe aq keq...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat