Në hapje derbi i kryeqytetit! Maxhuni: Superliga do të jetë më e fortë

Futboll

Në hapje derbi i kryeqytetit! Maxhuni: Superliga do të jetë më e fortë

Nga: Kemajl Goca Më: 31 korrik 2019 Në ora: 19:32
Në hapje derbi i kryeqytetit! Maxhuni: Superliga do të jetë më e fortë

Në lokalet e Federatës së Futbollit të Kosovës është hedhur shorti për edicionin e ri në Superligën e Kosovës. Në hapje të edicionit të ri veçohet derbi i kryeqytetit mes Flamurtarit dhe Prishtinës dhe ai i skuadrave nga Rajoni i Drenicës, Feronikeli nga Drenasi dhe Drenica nga Skenderaj.

Feronikeli futet me misionin për mbrojtjen e titullit të kampionit dhe pretendon fitore në hapje të edicionit. ‘Nikli’ nuk i ka ndërprerë përgatitjet në as një moment, sepse garuan në kualifikueset e Champions League dhe në Europa League, por që nga të dyja garat janë eliminuar dhe tani përgatiten për sfidën miqësore që luhet me 10 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri”, kundër Milanit të madh, shtatë herë kampionit të Evropës.

Ndërkaq, skuadrat e rikthyera në elitë, Vushtrria dhe Dukagjini i Klinës (pas 16 viteve), do të luftojnë për rezultate sa më të mira. Vushtrria luan në udhëtim me Llapin në stadiumin “Zahir Pajaziti” dhe Dukagjini si vendas e pret Ballkanin nga Theranda.

Mesfushori i Vushtrrisë, Daut Maxhuni, shprehet se sfida e parë me llapjanët do të jetë shumë e vështirë. “Mendoj se Superliga do të jetë më e fortë për dallim me vitet tjera, kështu që në Podujevë shkojmë për rezultat pozitiv, por e dimë se Llapi ka një ekip shumë të mirë”, thotë Maxhuni për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Futbollisti shprehet se është herët të parashikohet se cilat mund të jenë synimet e ekipit, pjesa e epërme apo më shumë: “Është herët me jap parashikimin, po synimi do të jetë mesi i tabelës, pasi kemi një ekip të re”. A mendoni se elita do të jetë shumë e nxehtë kur dihet se bien katër ekipe nga liga, si dhe ku e sheh përparësinë e skuadrës tuaj?

“Mendoj se Superliga do të jetë shumë më e fortë se vitet tjera,  ndërsa përparësinë e skuadrës e shoh dhe mendoj se kemi një ekip të re e me perspektiv. Mendoj se do të befasojmë shumë ekipe”, thotë Maxhuni.  

Drita nga Gjilani do të ballafaqohet me Ferizajn, kjo e fundit ende nuk e ka zgjedhur çështjen e trajnerit pas largimit të Bylbyl Sokolit. Ndërkaq, Gjilani është përforcuar me një numër të madh të futbollistëve, së fundit edhe me Tomisllav Bushiqin dhe Gerhard Prognin. Gjilani nuk do të ketë punë të lehtë në hapje sepse do të luajë në stadiumin “Riza Lushta” kundër Trepçës ’89. Superliga fillon me 17 gusht! 

Superliga e Kosovës, java e parë   
Drita-Ferizaj
Flamurtari-Prishtina
Dukagjini-Ballkani
Feronikeli-Drenica
Llapi-Vushtrria
Trepça ’89-Gjilani

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat