Strakosha tregon ëndrrat

Futboll

Strakosha tregon ëndrrat

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 12:36
Strakosha tregon ëndrrat

Thomas Strakosha kërkon të bëjë një tjetër sezon prej protagonisti me fanellën e Lacios dhe thotë se dëshiron të fitojë sërish trofe me bardhekalrit. Në një prononcim për sajtin zyrtar të klubit kryeqytetas, gardiani i Kombëtares shqiptare tregon se në sezonin e kaluar bënë shumë gabime dhe duhet t’i korrigjojnë për të arritur objektivat.

Rikthimi- “Ishte e vështirë që të qëndroja 3 muaj jashtë fushave të lojës, por jam duke e marrë veten. Tani jam më mirë dhe pas dy miqësoresh jam ndier shkëlqyeshëm”.

Ambiciet- “Më vjen shumë mirë që në Serinë A kanë ardhur lojtarë shumë të fortë. Po rikthehemi të jemi një nga kampionatet më të bukur në Europë. Ne në 3 sezonet e fundit kemi treguar se mund të fitojmë kundër të gjithëve, por edhe mund të humbasim kundër të gjithëve. Është çështje mentaliteti. Nëse ne nuk dorëzohemi dhe ruajmë përqendrimin, sigurisht që mund të arrijmë deri në fund të çdo kompeticioni. Në sezonin e fundit, fakti që dolëm të tetët në kampionat na ka bërë shumë mirë. Megjithatë, ia dolëm të fitonim Kupën e Italisë dhe të shkonim në Europë. Ishte një goditje për ne, por nuk duhet të bëjmë më gabimet e së shkuarës. Meritojmë dhe kemi potencial për të arritur sa më lart”.

Valon Berisha- “Është një djalë i shkëlqyer dhe pozitiv. U ndie keq që nuk mund të ndihmonte skuadrën në momente te caktuara. Është shumë i motivuar dhe dëshiron të tregojë se është i fortë. Bashkë kemi folur për sezonin që do të vijë dhe shpresojmë që të jemi protagonistë. Duam të fitojmë edhe ndonjë titull. Jeta është shumë e shkurtër për të mos ëndërruar. Në nivelin personal shpresoj të arrijmë mes 4 skuadrave kryesore dhe të fitojmë një trofe. Sigurisht që dua të ndihmoj edhe Kombëtaren time”.

Denis Vavro- “Është shumë i përqendruar. Nuk dorëzohet kurrë dhe është shumë i fortë nga ana psikologjike. Është vendosur menjëherë në dispozicion të grupit dhe dëshiron të mësojë italisht. Nuk është kurrë e lehtë të ndryshosh llojin e futbollit, por ai është përshtatur dhe jam i sigurt që do të na japë një dorë”.

Rregullat- “Kam punuar shumë në këtë aspekt, sepse e di që roli i portierit do të jetë akoma më i rëndësishëm në sezonin e ardhshëm. Me trajnerët po studiojmë gjithçka në aspektin teknik dhe taktik”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat