Milani i famshëm në Prishtinë! Fazliu: Do të tregojmë lojë të mirë

Futboll

Milani i famshëm në Prishtinë! Fazliu: Do të tregojmë lojë të mirë

Nga: Kemajl Goca Më: 9 gusht 2019 Në ora: 17:31
Milani i famshëm në Prishtinë! Fazliu: Do të tregojmë lojë të mirë

Milani i famshëm, nesër në orën 11.30 pritet të zbarkojë në aeroportin “Adem Jashari”, pastaj do t’ia mësyjë kryeqytetit të Kosovës përkatësisht Prishtinës. Nesër në orën 20.45 ballafaqohen kampioni i Kosovës, Feronikeli dhe skuadra italiane Milani, në kuadër të ndeshjes miqësore historike, e cila luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kampioni i Kosovës, me kryetrajner të ri, malazezin Dejan Vukçeviçin, do të mundohen që të tregojnë lojë sa më të mirë ndaj shtatë herë kampionit të Evropës. Skuadra me histori të madhe për herë të parë do të zbarkojë në shtetin e Kosovës dhe vjen me futbollistët më të mirë, si Piatek, Suso, Bonaventura, Borini, Donnarumma, Biglia etj.  

Sulmuesi i ‘Niklit’, Astrit Fazliu, premton se do të japin më të mirën, që t’i kënaqin edhe shikuesit. Futbollisti me përvojë të madhe mendon se është një ndeshje historike për Kosovën sepse Milani për herë të parë vjen në vendin tonë.  Feronikeli ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për këtë sfidë miqësore, e cila pritet me emocione nga tifozët, veçmas nga ata që e simpatizojnë Milanin, që t’i shohin nga afër idhujt e tyre.  

“Bota sot”: Do të takoheni me Milanin e madh, a jeni në emocione?
Astrit Fazliu:
Dihet se është një ndeshje miqësore dhe normal edhe emocionet janë të pranishme, pasi që Milani është ekip shumë i fortë e me histori të madhe. Normal do t’i qasemi seriozisht takimit, shpresoj të tregojmë lojë të mirë, po ashtu edhe për rezultat pozitiv.

“Bota sot”: A keni frikë nga AC Milan?
Astrit Fazliu:
Jo, është një ndeshje miqësore, një ekip me histori e me cilësi të lartë. Ne do të futemi në fushë që të bëjmë lojën tonë. 

“Bota sot”: Ku është rreziku më i madh? 
Astrit Fazliu
: Mendoj se ata kohët e fundit kanë bërë transfere shumë cilësore, ndoshta mesfusha dhe sulmi janë arma më e fortë e tyre. Ne jemi përgatitur maksimalisht, kemi pasur ndeshjet të forta në kualifikueset në Champions dhe në Europa League, shpresoj se kjo do të na ndihmojë.

“Bota sot”: Sa jeni adaptuar me trajnerin e ri Vukçeviç?
Astrit Fazliu:
Që dy ditë jemi stërvitur me të, edhe për ndeshjen me Milanin. Jemi adaptuar shumë mirë. 

“Bota sot”: Cila është atmosfera para kësaj ndeshje? 
Astrit Fazliu
: Është atmosferë normale, si çdo ndeshje tjetër. 

“Bota sot”: A është ndeshja më e mirë në karrierën tuaj?
Astrit Fazliu:
Me Milanin është ndeshja më e mirë në karrierë, por mos të harrojmë se edhe me Shkëndijen kam pasur ndeshje ndërkombëtare, pastaj me Flamurtarin e Vlorës kemi luajtur kundër Wolsburgut. Me Milanin është më e veçantë dhe ka një histori tjetër, një histori të madhe.
 
Lista e Lojtarëve të Milanit që zbarkojnë në Prishtinë
G. Donnarumma, A. Donnarumma, Soncin; mbrojtës: Calabria, Conti, Gabbia, Laxalt, Mussacchio, Rodriguez, Romagnoli, Striniç; mesfushorë: Biglia, Bonaventura, Borini, Brescianini, Çalhanoglu, Kruniç, Paqueta, Maldini; sulmues: Andre Silva, Castillejo, Leao, Piatek, Suso.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat