Mesazhi i presidentit Ademi: Forca Valon, Hekuran e Arbër, ju presim edhe më të fortë!

Futboll

Mesazhi i presidentit Ademi: Forca Valon, Hekuran e Arbër, ju presim edhe më të fortë!

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 21:07
Agim Ademi

Gjitha ligat evropiane të futbollit po bëhen gati për të nisur sezonin e ri.

Shumë lojtarë të Kosovës kanë ndërruar skuadër, dhe janë gati maksimalisht për të dëshmuar besimin.

Ky sezon i ri, nuk do të gjejë në fushë Arbër Zenelin dhe Hekuran Kryeziun që janë të lënduar, ndërsa Valon Berisha sapo është kthyer nga një lëndim i rëndë, që e mbajti jashtë fushave për një kohë të gjatë.

Kryetari i Federatës të Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dërguar një mesazh inkurajimi për këtë tre futbollistë, e po ashtu ka uruar për suksese të gjithë lojtarët e tjerë të Kosovës.

Mesazhi i Agim Ademit:

Këtë vit rezultatet dhe paraqitja e ekipit tonë Kombëtar kanë bërë jehonë të madhe kudo. Seria e Dardanëve prej 14 ndeshjeve pa humbje e ka shndërruar Kosovën në storie suksesi. Fatkeqësisht, ky rrugëtim i suksesshëm pati edhe pasojat e veta, ngase tre futbollistët kyç të formacionit të parë pësuan lëndime. Megjithatë, më gëzon fakti se Valon Berisha, Hekuran Kryeziu e Arbër Zeneli edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë treguan karakter dhe vullnet të fortë dhe tashmë po punojnë për t’u rikuperuar sa më shpejtë nga lëndimet.

Të tre këta futbollistë janë shumë të rëndësishëm për ekipin tonë kombëtar dhe për klubet e tyre, por njëherësh edhe shumë të dashur për publikun. Pa dyshim, ata, po na mungojnë në fushën e gjelbër, por gjithmonë janë me ne dhe na përkrahin pa rezervë.

Në emrin tim dhe të KE të FFK-së shpreh gëzimin që janë duke e kaluar këtë fazë me përkushtim dhe vullnet të madh dhe u dëshiroj rikthim sa më të shpejtë në fushën e gjelbër.

Ne jemi me ju djema.
Forca Valon, Hekuran dhe Arbër!
Ju jeni krenaria jonë, jeni motivi i Dardanëve dhe i gjithë rinisë së Kosovës!

Jam i bindur që shumë shpejtë do t’iu shoh në formacionin e Kombëtares tonë dhe do të ktheheni shumë më të fortë për ta vazhduar rrugën e sukseseve së bashku.

Njëherësh edhe të gjithë futbollistëve tjerë ju uroj përgatitje, formë dhe paraqitje sa më të mira në edicionin e ri, me besim të madh në vazhdimin e serisë së rezultateve pozitive me Kombëtaren tonë. Po ashtu, dirigjentit të ekipit kombëtar, trajnerit Bernard Challandes i uroj shërim të shpejtë dhe fat e suksese edhe në ndeshjet e ardhshme.

Vazhdojmë me krenari dhe përgjegjësi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat