Valverde ngre supet për Neymar, mesazh të qartë klubit për Rakitic

Futboll

Valverde ngre supet për Neymar, mesazh të qartë klubit për Rakitic

Më: 10 gusht 2019 Në ora: 09:47
Ernesto Valverde

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde nuk e di se çfarë do të ndodhë me Neymar, mes raporteve se kampionët e La Liga-s duan të nënshkruajnë me yllin brazilian. 27-vjeçari pritet të largohet nga PSG këtë verë, teksa në sfond duket kthimi te Barça, pasi u largua për në Paris në verën e vitit 2017 për shumën rekord botëror të 222 milionë eurove. Po ashtu, së fundi është përfolur edhe një mundësi kalimi te Real Madridi.

Duke folur përpara miqësores së dytë me Napolin në Michigan, të shtunën, Valverde tha se ishte akoma i pasigurt për të ardhmen e yllit brazilian. Ai ishte i prirur të përqendrohej te lojtarët që ka aktualisht në skuadër: "Ne do të shohim se çfarë mund të ndodhë. Përgjigjia klasike është se ai luan për një ekip tjetër. Në fakt, kjo është gjëja e sigurt që dimë. Mbi të gjitha, di se jam trajneri i Barcelonës dhe mendoj vetëm për lojtarët që kam në dispozicion. Ata janë lojtarët, që do të përdor në këtë miqësore. Sinqerisht, unë nuk e di se çfarë do të ndodhë me Neymar".

Barcelona raportohet se do të përfshijë të paktën një lojtar në operacionin për Neymar, me Philippe Coutinho dhe Ivan Rakitic midis emrave të përmendur si “kurbanë” të një transferimi të tillë. Valverde tha se ai nuk mund ta garantojë të ardhmen e Rakitic, por beson se do të jetë në gjendje të mbështetet te mesfushori kroat gjatë sezonit të ardhshëm, nëse mbetet te katalanasit deri në mbylljen e merkatos në Spanjë, më 2 shtator: "Ai është shumë i rëndësishëm për ne. Puna e tij duket në fushë. Tani për tani, unë nuk e di nëse do të qëndrojë. Unë mbështetem tek ai, ashtu siç kam bërë deri tani. Në parim, asgjë nuk më bën të mendoj se nuk do të jem në gjendje të mbështetem edhe sezonin e ri".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat