Man.City nis mbrojtjen e titullit - Bota Sot
Man.City nis mbrojtjen e titullit

Futboll

Man.City nis mbrojtjen e titullit

Më: 10 gusht 2019 Në ora: 10:50
Man.City nis mbrojtjen e titullit

Manchester City fillon mbrojtjen e titullit në Londër, teksa do të përballet me West Ham United, ekip që drejtohet nga ndoshta trajneri më i suksesshëm në gjithë historinë e Citizens, duke patur parasysh që përveç titullit kampion dhe Kupës së Ligës, në sezonin 2013-14 i dërgoi Sky Blues deri në gjysmëfinalen e Champions League-s, ku u eliminuan thjesht nga një gol i vetëm pikërisht nga Reali i Madridit që më pas koleksionoi edhe “trofeun me veshë të mëdhenj”.

Pas 2 titujve radhazi të fituar me 198 pikë të grumbulluara gjithsej natyrisht ekipi i Guardiolës është sërish favorit për të triumfuar në Premiership. Këtë sezon sheikët i kërkojnë trajnerit katalanas patjetër lavdinë në Champions, kështu që Pep mund të tolerojë diçka në Premier League, ku Liverpooli duket tepër i motivuar për të kthyer titullin në Merseyside pas plot tre dekadave.

City sigurisht ka ekipin më të kompletuar, madje me paratë e shpenzuara 48-vjeçari nga Santpedori ia ka dalë mbanë për të patur në dispozicion dy skuadra, fakt që në mënyrë të pakundërshtueshme i ndihmoi Citizens për të fituar që të tre trofetë brenda vendit, në një sezon të vetëm, diçka e paarritur nga asnjë klub tjetër në gjithë historinë e futbollit anglez.

Edicionin e kaluar ndonëse Liverpooli humbi vetëm duelin e famshëm të 3 janarit në Etihad, titullin përsëri e fitoi City i Guardiolës, e ndoshta kjo është edhe arsyeja përse krahasuar me sezonet e tjera këtë herë drejtuesit kanë shpenzuar shumë herë më pak për të forcuar një skuadër që konsiderohet jo vetëm si më e forta në ishull por gjithashtu kuotohet për të tretin fillim sezoni radhazi nga bookmakers-at si ekipi favorit për të triumfuar në Champions.

Në skuadër është afruar Rodri, që shërben si zëvendësuesi i natyrshëm i Fernandinho-s, por edhe dy mbrojtësa si Joao Cancelo e Angelino, pa harruar edhe ish-portierin e përfaqësueses angleze Scott Carson. Në krahun tjetër duke patur parasysh klubet pjesëmarrëse në këtë edicion të Premier League-s “çekanët” përfaqësojnë një nga 5 klubet e vetëm që nuk e kanë fituar asnjëherë kampionatin anglez, apo edhe ta kenë mbyllur sezonin si nënkampionë të Anglisë. Përveç West Ham-t, katër skuadrat e tjera janë Brighton, Bournemouth, Crystal Palace dhe Norwich City, ndërsa klube si Watford dhe Southampton janë shpallur nënkampionë të Anglisë radhazi në vitet 1983 e 1984. Veteranit kilian i është larguar Marko Arnautovic, sidoqoftë në ekipin kryeqytetas është afruar nga Eintrachti i Frankfurtit Sebastien Haller, por gjithashtu edhe sulmuesi me origjinë kosovare Albian Ajeti.

Edicionin e fundit West Hami e mbylli me tre fitore radhazi, duke u pozicionuar në mes të tabelës së renditjes, në kuotën e 52 pikëve, plot 46 pikë më pak se sa kampionët në fuqi, që kanë fituar gjithashtu edhe 9 përballjet e fundit ndërmjet këtyre dy klubeve, në të gjithë kompeticionet.

Takimi West Ham United-Manchester City do të zhvillohet në orën 13:30 në kryeqytet, në Stadiumin Olimpik në Stratford, gjithsesi po ditën e shtunë në Supersport të apasionuarit e kampionatit në Eredivisie do të kenë mundësi për të ndjekur edhe kampionët në fuqi të Ajaxit. Rekordmenët e kampionatit holandez do të presin në Amsterdam, në orën 19:45 në Stadiumin Johan Cruijff Arena një ekip modest si Emmen, kundërshtar të cilit sezonin e kaluar “harkëtarët” i shënuan plot 10 gola gjithsej.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat