Frikë për jetën, Arsenali “burgos” Kolasinac e Ozilin

Futboll

Frikë për jetën, Arsenali “burgos” Kolasinac e Ozilin

Më: 12 gusht 2019 Në ora: 22:24
Kolasinac e Ozil

Mesut Ozil dhe Sead Kolasinac vazhdojnë të kalojnë ditë të vështira. Dyshja e Arsenalit, viktima të një tentative grabitjeje më 25 korrik, mungoi edhe në ndeshjen kundër Newcastlet ditën e diel për shkaqe sigurie.

“The Sun” mëson se ata ruhen 24 orë në 24 nga roje sigurie, pasi kanë përfunduar në mes të një lufte bandash.

Dy grabitës me motorë dhe thika tentuan që t’u vidhnin orët e tyre të shtrenjta, teksa qarkullonin së bashku me gratë e tyre me Mercedesin e Ozilit në rrugët e Londrës muajin e shkuar.

Vjedhja u shmang falë ndërhyrjes së mbrojtësit boshnjak, i cili u konfrontua trimërisht me grabitësit, të cilët u larguan pa marrë gjë.

Por banditët jo vetëm që nuk janë trembur nga incidenti, por i kanë kërcënuar futbollistët se do t’u grabisin gjithçka kanë në shtëpi. Në këtë pikë, ka ndërhyrë një tjetër bandë nga Evropa Lindore, e cila ka premtuar se do të marrë në mbrojtje lojtarët. Policia ka arrestuar dy keqbërës në shtëpinë e futbollistit gjermano-turk javën e shkuar.

E tmerruar nga situata, bashkëshortja e Kolasinac, Bela, ka shkuar në Gjermani dhe ka premtuar se nuk do të rikthehet më kurrë. Klubi i Arsenalit njoftoi ditën e djeshme se ata do të mungonin kundër Newcastlet për shkak të “incidenteve me sigurinë”.

Dy shokët e ngushtë, tashmë ruhen gjatë 24 orëve nga roje sigurie, ndërsa policia vijon hetimet për të vënë shantazhuesit përpara drejtësisë. “Kolasinac ka shumë miq në Londrën Veriore dhe lojtarët janë shumë të famshëm.

Tentativa për t’i grabitur shokoi shumë njerëz”, tha një burim për “The Sun”, i cili tregoi se përplasjet mes bandave bënë që të telefonohej policia përpara orës 23:00 ditën e enjte pranë shtëpisë së Ozilit, ku ai banon me gruan e tij, modelen dhe aktoren 26-vjeçare, Amine Gylse. Përplasja e së enjtes mendohet se ka ndodhur edhe shumë pranë shtëpisë së Kolasinacit. Dyshohet se futbollistët janë bërë shënjestër edhe e kërcënimeve kibernetike.

“Ozil dhe Kolasinac nuk do të jenë pjesë e skuadrës për ndeshjen e parë kundër Newcastle pas incidenteve të tjera me sigurinë, të cilat po hetohen nga policia. Shëndeti i lojtarëve tanë dhe familjeve të tyre është prioritet kryesor dhe ne e morëm vendimin pas diskutimeve me lojtarët dhe menaxherët e tyre”, thuhej në deklaratën e “topçinjve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat