Te Vllaznia për të shënuar sa më shumë gola

Futboll

Te Vllaznia për të shënuar sa më shumë gola

Më: 17 gusht 2019 Në ora: 16:32
Te Vllaznia për të shënuar sa më shumë gola

Emerson Brito Dos Santos prezantohet para tifozëve të Vllaznisë. Sulmuesi më i ri i skuadrës shkodrane ka dhënë një intervistë për faqen e klubit ku ka folur për karrierën e tij të deritanshme, ka zbuluar se përse ka zgjedhur Vllazninë, ndërsa ka premtuar se do të shënojë shumë gola.

Emerson, si e zgjodhët Vllazninë?
Menaxheri im ka kontaktuar me njërin nga drejtuesit e Vllaznisë, kanë diskutuar rreth meje dhe më pas, kanë arritur akordin që unë të jem pjesë e kësaj skuadre dhe ja tek jam. Drejtuesit e klubit kanë parë disa nga videot e mia të ndeshjeve të sezonit të kaluar në Oman dhe janë bindur për aftësitë e mira prandaj dhe më ofruan firmosjen e kontratës.
Tifozët e Vllaznisë e kanë pritur mirë ardhjen tuaj. Cili është premtimi juaj për ta?
Jam shumë i etur për të nisur këtë eksperiencë të re. Premtoj të dhuroj gjakun tim për këtë ekip dhe shpresoj shumë që tifozët të kënaqen me futbollin tim.
Cila është forma juaj fizike dhe a do të jenë gati për të luajtur që në ndeshjen e parë të kampionatit?
Jam mirë fizikisht dhe shpresoj shumë që të jem i gatshëm për ndeshjen e parë që luhet javën e ardhshme.
Momentet më të bukura të karrierës tuaj besoj se janë ato tek Palmeiras?
Po, ishin momentet më të bukura, Palmeiras është një klub i madh në Brazil. Për më tepër, pata kënaqësinë të stërvitem nga një kampion bote, Luiz Felipe Scolari (Felipao).
Sezoni më i mirë i karrierës tuaj, cili është?
Sezoni im më i mirë është ai 2017-2018 kur kam shënuar 10 gola dhe kam dhënë 7 asiste për ekipin tim në Ligën e Omanit.
Premtoni shumë gola edhe për Vllazninë?
Po patjetër që premtoj gola, por dëshira ime e madhe është të shpallem kampion me Vllazninë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat