Çka e shqetëson më së shumti e deri te ofrimi i dorëheqjes Qatip Osmanin? - Bota Sot
Çka e shqetëson më së shumti e deri te ofrimi i dorëheqjes Qatip Osmanin?

Futboll

Çka e shqetëson më së shumti e deri te ofrimi i dorëheqjes Qatip Osmanin?

Më: 21 gusht 2019 Në ora: 11:46
Çka e shqetëson më së shumti e deri te ofrimi i dorëheqjes Qatip Osmanin?

Dy ndeshje dhe dy humbje për Shkëndijën, në dy javët e para të kampionatit në LPFM, ndërsa trajneri Qatip Osmani nuk e ka fshehur dëshpërimin.

Në një intervistë të gjatë për gazetën Lajm të Maqedonisë së Veriut, ai mes tjerash rrëfehet për atë se çka e shqetëson më së shumti te kuqezinjtë, formën e lojtarëve, rikthimin e qetësisë në ekip, ofrimin e dorëheqjes.

Dy takime dhe po kaq humbje për Shkëndijën, në këto javë të para të kampionatit. Sa ndihet i dëshpëruar Qatip Osmani?

Osmani: Sigurisht që ndjehem i dëshpëruar dhe njeri normal apo punëtor sportiv do të kishte dëshpërim kur skuadrës nuk i ecën si duhet. Po flas për çdo skuadër pa marrë parasysh ambiciet e lëre më situatën tonë që dihet se Shkëndija gjithmonë synon kreun, fitoren në çdo ndeshje dhe synon të jetë në krye të tabelës për të fituar tituj. Normal që kjo situatë na ka lënë të dëshpëruar të gjithëve.

A mund të jetë “fajtor” edhe kalendari, dy ndeshje si mysafirë në start të sezonit?

Osmani: Jo, jo se kisha thënë se fajtor është orari, për shkak se një skuadër që dëshiron të fitoj titullin apo që ka fituar sic është rasti ynë nuk ka rëndësi se ku luan, pasi ne në çdo ndeshje jemi dëshmuar se jemi të aftë për të menaxhuar dhe fituar përballje në çdo fushë, qoftë edhe në kupat e Europës. Prandaj fakti që në dy ndeshjet e para të sezonit i kemi luajtur në transfertë nuk është arsyetim dhe as që dëshiroj të kapem për këtë gjë.

Çka të shqetëson më shumë?

Osmani: Më së shumti më shqetëson fakti se ajo që na ka karakterizuar në të kaluarën – efikasiteti, tani më mungon. E shikojmë edhe ndeshjet europiane. Kam thënë që edhe në ndeshjet përgatitore edhe në këto dy ndeshje kampionale, ne jo që nuk bëjmë lojë, por krijojmë raste dhe humbim shumë shanse. I kemi humbur dy takime kampionale me rezultate 1-0, ndërsa nëse shikojmë të kaluarën na ka ndodhur të pranojmë edhe dy gola, por në anën tjetër kemi shënuar tre, katër por edhe pesë gola. Kemi fituar edhe 6-2, prandaj ajo që më shqetëson për momentin është efikasiteti, gjegjësisht joefikasiteti.

A janë jashtëformës se sezonit të shkuar disa nga“yjet” e Shkëndijës?

Osmani: Patjetër se po. Pjesa më e madhe e skuadrës është jashtë formës optimale. Nuk di se si ka ndodhur të grumbullohet gjithë kjo krizë mes lojtarëve në të njëjtin moment spse ndodh që kur një lojtar është jashtë forme tjetri del në sipërfaqe. Kësaj radhe ne kemi në krizë të gjithë lojtarët që pritet të fitojnë ndeshjen ose të bartin barrën kryesore të ekipit. Si duket ky është një arsye shtesë që Shkëndija gjendet në këtë krizë.

Me çfarë telashe të tjera përballeni?

Osmani: Nuk mund të them për telashe tjera sepse futbolli është një sport shumë kompleks dhe të ndodh që të fitosh ndeshjen, por të keni probleme brenda skuadrës, por suksesi i mbulon këto. Ka raste tjera kur gjërat janë Ok, por nuk keni rezultate dhe sigurisht që ndjenë pakënaqësi. Problemi ynë kryesorë është në rezultate sepse nuk ndodh që ne mos të shënojmë gol të paktën me potencialin që kemi mos të arrijmë të fitojmë pikë dhe tashmë gjithë vëmendja fokusohet se si të dalim nga kjo krizë.

A ka vend për dramë te Shkëndija, pasi humbjet janë nga skuadra si A.Pandev dhe Sileks?

Osmani: Jo, në asnjë mënyrë dramë. Por është fillimi i sezonit dhe ne kemi humbur dy ndeshje dhe nëse kthehemi në formën që kemi ditur të bëjmë në sezonet e kaluara ne kemi dëshmuar se jemi të aftë të menaxhojmë seri të gjata të fitoreve që në kushte të tilla arrijnë të kompenzojnë deficitin e pikëve që kemi për momentin. Iu ndodh edhe shumë ekipeve europiane të kenë krizë, mos të kenë rezultate të pritura në një moment të caktuar të sezonit, por nëse do të zgjidhja momentin se kur do të na kapte kriza më mirë tani se sa në momentin më të rëndësishëm të sezonit kur vendoset titulli.

Si mund të kthehet qetësia në skuadër?

Osmani: Vetëm me punë, perkushtim me marrjen e përgjegjësisë secili për pozitën e tij të japim më të mirën, të qëndrojmë të bashkuar, mos të biem pre e komenteve, thashethemeve, sulmeve nga jashtë që mbase kërkojnë të shfrytëzojnë momentin për të destabiluzuar edhe më shumë ekipin. Ne nuk mund ti ikim faktit që nuk jemi në momentin më të mirë, por të kërkojmë të fokusohemi për tu marrë me situatën që e kemi brenda skuadrës dhe aspak mos të lejojmë ndikim të ketë nga jashtë. Çdo kritikë në drejtimin tonë në këtë moment është me vend, sepse ne jemi ata që s’kemi rezultate të duhura, por nëse kapim serinë që dëshirojmë besoj se gjërat do të kthehen në anën tonë.

A keni ofruar dorëheqje?

Osmani: Unë gjithmonë them se kur fiton skuadra më meritorë janë lojtarët, ndërkohë kur vijnë disfatat, atëherë trajneri është i pari që duhet marrë përgjegjësinë më të madhe. Është rregull i pashkruar në futboll. Nuk e kam ndërmend të kërkoj të shmangë ose ta amnestojë vetën nga kjo situatë. Por duke ndjerë përgjegjësi maksimale për situatën momentale në mungesë të rezultateve mund të them se në klub jemi cdo ditë bashkë dhe kemi folur edhe pas eliminimit nga LK dhe më pas edhe nga LE janë gjëra të brendshme që duhet flas klubi. 
Respektoj çdo vendin eventual që do të vinte nga ana e drejtuesve të klubit. Jam i vetëdijshëm për çdo situatë, por si do që të vendoset unë e kuptojë që situata është e tillë dhe çdo vendim i pronarëve të klubit do të ishte i drejtë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...