Kualifikohet Shkupi

Futboll

Kualifikohet Shkupi

Më: 22 gusht 2019 Në ora: 10:59
Kualifikohet Shkupi

Shkupi është kualifikuar në raundin e dytë të Kupës së Maqedonisë së Veriut, pasi në xhiron e parë të këtij kompeticioni eliminoi skuadrën e Teteksit, duke e mundur me shifra të thella 1:5.

Trajneri Umit Karan këtë ndeshje e nisi me formacion më ndryshe nga ai i kampionatit, duke lënë jashtë tij kapitenin Muharem Bajramin dhe Mevlan Adilin, ndërsa debutoi me fanellën “bardhekaltër” i riu Xhemail Esati.

Skuadra e nisi takimin me sulme drejt portës kundërshtare, duke kërkuar golin që nga minutat e para. Sergio kishte rastin e parë në minutën e 2-të, por nuk arriti të shënojë.

Pak më vonë Bilali u fut në brenda zonë, ndërsa gjuajtja e tij u mbrojt nga portieri Nastevski. Në minutën e 9-të, sulmuesi Jurina humbi rast të 100% para portës kur ishte i vetëm përballë portierit kundërshtar, mirëpo gjuajtja e tij shkoi mbi portë. Në vijim “bardheblutë” vazhduan dominimin në terren, duke mos lënë hapësirë kundërshtarit për lojë, ndërsa tentim kishin Lamine dhe Ismaili. Ndërkohë goli do të vinte në të 16-tën, me Jurinën që shënon për epërsi 1:0, pasi shfrytëzon bukur krosimin e Stojanovskit nga e majta. Pas golit FC Shkupi vazhdoi ritmin e njejtë të lojës, ndërsa deri në fund të pjesës së parë kishim edhe disa raste për gol, ku fillimisht Sergio u gjet i vetëm pērballë portierit Nestevski, por nuk arriti të çoj topin në rrjetë, ndërsa kah fundi Stojanovski tentoi dy herë, por pa sukses, duke lënë të mbyllet pjesa e parë vetëm me rezultatin 1:0.

Fraksionin e dytë e nisëm me dy ndryshime, me trajnerin Umit Karan që largoi nga loja Sabit Bilalin dhe Xhemail Esatin, ndërsa në vend të tyre u aktivizuan Darboe Dembo dhe Artan Veliu.

Edhe në pjesën e dytë kishim iniciativën e lojës, me Sergio që në të 50-tën goditi tranversën, ndërsa 3 minuta më vonë i njejti futbollist ngriti epërsinë në 2:0 për Shkupin. Në të 61-të Dembo gjuan nga zona e rreptësisë, mirëpo mbron portieri kundërshtar, ndërsa 2 minuta më vonë Sergio shënon golin e dytë personal në këtë sfidë dhe të tretin për Shkupin, duke çuar në 0:3 shifrat.

Gjithsesi skuadra jonë nuk u ndalë me kaq, pasi  11 minuta më vonë Jurina gjen golin e katërt për Shkupin.

Nga ana tjetër, Teteksi kishte vetëm një rast në portën tonë dhe atë e shfrytëzoi, duke shënuar golin e nderit përmes Mihajllovskit. Por, fjala e fundit ishte për “bardheblutë” që shënuam edhe golin e 5-të në të 85-tën, me autor Sergio që kompletoi edhe het-trikun e tij. Kështu skuadra siguron kualifikimin për në raundin e dytë të Kupës së Maqedonisë me shifra 1:5.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat