Ballkani i Ismet Munishit dridh Feronikelin e trajnerit Vukçeviq!

Futboll

Ballkani i Ismet Munishit dridh Feronikelin e trajnerit Vukçeviq!

Nga: Kemajl Goca Më: 24 gusht 2019 Në ora: 18:52
Ballkani i Ismet Munishit dridh Feronikelin e trajnerit Vukçeviq!

Ballkani nga Theranda shënon fitoren e parë pas barazimit (0:0) javën që e lamë pas në Klinë në duel me Dukagjinin.  Fitore që nuk matet as me ari e Ballkanit e cila e dridhi me lojë e rezultat 3:1 kampionin, Feronikelin nga Drenasi, në kuadër të javës së dytë të elitës së futbollit të Kosovës.

Lojë e shkëlqyeshme e djelmoshave të kryetrajnerit Ismet Munishit, që fituan pikë të plota, duke treguar se do të jetë një arrë e fortë për secilën skuadër.

Në minutën e 5-të, Blendi Baftiu me dinakërinë e tij kalon në epërsi vendasit, ndërsa  therandasit thelluan epërsinë në minutën e 20-të. Hoxha pengohet nga Prekazi dhe penallti.

Besnik Krasniqi ka qenë i saktë nga penalltia për rezultatin 2:0. Në minutën e 50-të, kampioni ngushton rezultatin në 2:1 duke iu falënderuar golit të Haxhi Nezirajt. Nuk zgjati shumë ky ngushtim i rezultatit, Blendi Baftiu shënon me kokë dhe për 3:1 në minutën e 54-të.

Në minutën e 75-të, ‘Nikli’ mbetet me një futbollist me pak, kur Ylli Hoxha u përjashtua nga loja pas dy kartonëve të verdhë. Në minutën e 85-të, Besnik Krasniqi nga rreth 20 metra godet tërthorësen e ‘Niklit’. Ballkani është lider me 4 pikë, ndërsa Feronikeli është në pozitën e tretë me 3 sosh. Kryetrajneri i ri i Feronikelit, malazezi Dejan Vukçeviq, njihet me humbjen e parë në kampionatin tonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat