Tahirsylaj pretendon titullin me Hamburger SV U-17

Futboll

Tahirsylaj pretendon titullin me Hamburger SV U-17

Nga: Kemajl Goca Më: 25 gusht 2019 Në ora: 19:48
Tahirsylaj pretendon titullin me Hamburger SV U-17

Është një numër i madh i talenteve shqiptar që luajnë në kategoritë e ndryshme në futbollin gjerman. Një gjeneratë e talentuar e shqiptarëve po vjen dhe që pritet të bëjë bujë në të ardhmen. Në ekipin e Hamburger SV U17 është një talent nga Kosova, që po luan me sukses!

Është Arbes Tahirsylaj, një qendërsulmues i jashtëzakonshëm por kur e do nevoja luan edhe qendërmbrojtës. Dy role diametralisht të kundërta, që aspak nuk e pengojnë Tahirsylajn, i cili është edhe pjesë e kombëtares së Kosovës U-17.  

Tahirsylaj tregon se qysh kur i kishte katër vite lozte me top dhe nga atëherë i futet thellë në zemër, që me kalimin e kohës arriti që të përsoset dhe sot është pjesë e skuadrës Hamburger SV U-17. “Dëshira dhe vullneti për futbollin që kisha si fëmijë në moshën 4-vjeçare dhe përkrahja nga prindërit e mi, që asnjëherë nuk kanë kursyer mundin për mua dhe sot jam këtu ku jam”, tha Tahirsylaj për gazetën kombëtare “Bota sot”. Djaloshi nga Kosova tha se vërtet është një konkurrencë e fortë brenda ekipit, por të cilin e gëzon shumë sepse e ka përforcuar dhe e ka bërë edhe më të mirë.

“Është një konkurrencë e fortë dhe është sfidë e madhe, megjithatë dëshira dhe vullneti, mbi të gjitha puna janë arma më e fortë e imja, me punë dhe disiplinë arrihen të gjitha, pra edhe me përkrahjen e familjes”, theksoi ai. Më shumë luani si qendërsulmues, kur shtohet nevoja edhe si qendërmbrojtës, dy pozita të kundërta, iu shkakton vështirësi? “Si qendërsulmues luaj më shumë, por nuk e kam problem edhe si qendërmbrojtës për arsye se i njohë tiparet e sulmuesit”, përgjigjet futbollisti. Tahirsylaj është me prejardhje nga Isniqi i Deçanit dhe i mbron edhe ngjyrat e kombëtares së Kosovës U-17, që për të është obligim dhe privilegj!

“Është një ndjenjë dhe kënaqësi e madhe të jesh pjesë e kombëtares së Kosovës, si shtet i vogël siç është Kosova. Kemi dy vite që jemi pranuar në instancat më të larta të futbollit, FIFA-UEFA”, nënvizoi ai. Synimet e Tahirsylajt janë që të shpallen kampion i Gjermanisë: “Synimet me Hamburger SV U-17 janë të bëhem kampion”. Si gjithmonë rivaliteti madh në ligë përveç që sjellë cilësinë shton edhe emocionet! Në ligën gjermane janë disa skuadra të fuqishme dhe rivalë të Hamburg SV. “Skuadrat rivale janë Werder Bremeni, Wolsburgu, Leipzig, ku është më të vërtet një konkurrencë e fortë”, thotë Tahirsylaj.  

Reprezentuesi i talentuar i Kosovës ka një teknikë të jashtëzakonshme, shquhet me goditje të forta. Ai është aq i shpejt sa vështirë e kanë edhe mbrojtësit ta ndalin, ndërsa ka mjeshtri të shënojë edhe nga pozitat më të vështira. Pretendimet e tija janë që me punë e angazhim të arrijë në nivelet më të larta. Ai e ka edhe përkrahjen e madhe të familjes, e cila është edhe frymëzimi më i madh i tij që ka arritur deri në këtë nivel.

“Pa mbështetjen e familjes nuk do të isha këtu ku jam. Prindërit e mi janë nga fshati Isniq e komunës së Deçanit”, tha Tahirsylaj. Djaloshi i talentuar ka synime të mëdha, që të arrijë suksese me Hamburger SV U-17 dhe të jap më të mirën për kombëtaren e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat