Fadil Muriqi: Për fat të keq në kohën e luftës në Kosovë mu dogjën...

Futboll

Fadil Muriqi: Për fat të keq në kohën e luftës në Kosovë mu dogjën...

Më: 27 gusht 2019 Në ora: 17:55
Fadil Muriqi

Nga tifozët e KF Prishtina ai quhej Maradona i Kosovës për shkak të ngjashmërisë fizike dhe stilit të lojës. Së bashku me Fadil Vokrrin, Kujtim Shalën, Mensur Nexhipin, Rafet Prekazin, Sahit Kelmendin e shumë të tjerë drejtoi ekipin e FC Prishtina në vitet e tyre më të suksesshme (1982-1988). Bëhet fjalë për Fadil Muriqin (i lindur në Pejë me 17 nëntor 1959), i cili nga viti 1991 së bashku me familjen e tij jeton në Melburn të Australisë.

Ai është një nga emrat më të mëdhenj të futbollit të Kosovës, legjendë e KF Prishtina, skuadrën që bënte krenar çdo shqiptarë në ish-Jugosllavi.  

Dhjetëshen e dikurshme të Prishtinës e takuam në Kumanovë.  Kishte ardhur për vizitë te nipi i tij, Graniti (djali i motrës), të cilit ia kishte dhuruar një fanellë të KF Prishtina. Edhe pse iu kishte afruar të 60-tave, Fadili ishte mirë nga shëndeti, dukej ende në formë. Për gazetën Lajm të Maqedonisë së Veriut, ai kujton vitet e arta të KF Prishtina në Ligën e atëhershme të Jugosllavisë.
“Kam luajtur 10 vite për Prishtinën (1979-89). Kanë qenë vitet më të mira të karrierës sime. Kemi luajtur kundër skuadrave të njohura të Ish-Jugosllavisë si Cërvena Zvezda e Partizani nga Beogradi, Hajduku i Splitit, Dinamo e Zagrebit, Velezhi i Mostarit, Vardari i Shkupit e shumë të tjerë. Me këta të fundit nuk na ecte mirë. Të gjitha ndeshjet i kujtoj dhe është shumë vështirë të veçosh ndonjë prej tyre. Çdo ndeshje në Prishtinë ishte derbi. Stadiumi ishte plotë me shikues pa marrë parasysh se me kë luanim”, kujton me nostalgji Muriqi, i cili më pas vazhdoi: “Thash është vështirë të veçoj ndonjë ndeshje, pasi të gjitha kanë qenë histori në vete. Mirëpo, nëse më duhet të veçoj, atëherë është goli që ia pata shënuar Partizanit të Beogradit në fund të ndeshjes në Prishtinë, ku fituam me rezultat 1:0. Gazeta “Rilindja” të nesërmen kishte botuar një karikaturë interesante. Për fat të keq në kohën e luftës në Kosovë mu dogjën. Pastaj ndeshja që mbajë në mend është ajo me Velezhin në Prishtinë.  I pata shënuar tre gola. Fituam 3:2. Triumfi ishte i madh, pasi në atë ndeshje luajtëm pa disa lojtarë kryesorë. Po ashtu e paharrueshme është fitorja e madhe kundër Crvena Zvezdës 1:3. Nuk ishte e lehtë të fitosh në mes të Beogradit”, kujton Muriqi.

Image

Fadil Muriqi në bisedë me Reshat Ibrahimin, gazetar në Maqedoninë e Veriut

Pas 10 viteve në Prishtinë, ai largohet dhe shkon te skuadra kroate Rijeka. Muriqi tregon arsyet e largimit nga klubi i zemrës. “Po, në vitin 1988 unë shkova në shërbim ushtarak në Leskovc të Serbisë. Klubin e futbollit Prishtina pushteti i asaj kohe filloi ta shkatërrojë. Filluan masat e dhunshme.

Dhe, klubin me çdo kushte insistonin ta rrëzonin nga Liga e parë. E mua nga fundi i shërbimit ushtarak (1989) më erdhi një ofertë nga Rijeka. E pranova dhe në sezonin 1989/90 luajta për këtë klub kroat.

Më pas këtu erdhi edhe vëllai im Xhevdet Muriqi. Nga Rijeka, në vitin 1990 kalova në Turqi te Konyspor. Pas një viti sërish u ktheva në Rijeka, ku qëndrova tre muaj, kurse më pas një trajner kroat më ftoi të luaj për 6 muaj në Sidney të Australisë. Në vitin 1991 shpërtheu lufta dhe mora familjen në Australi ku jetoj edhe sot e kësaj dite”, tregon Muriqi për karrierën e tij. Fadil Muriqi në Australi ka luajtur për disa klube, kurse pas përfundimit të karrierës punoi edhe si trajner. Në vitin 2005 u kthye në Prishtinë, ku u emërua trajner i KF Prishtina, më pas edhe te Drita e Gjilanit. Megjithatë, nuk u pajtua me idetë e klubeve dhe u rikthye në Australi. Muriqi gjatë kësaj vere qëndroi për pushime në Kosovë. Ai mori pjesë në një turne përkujtimor futbolli për nder të ditëlindjes së legjendës Fadil Vokrri, organizuar nga FFK-ja. Turneu u mbajt në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Thotë se futbolli i Kosovës, nuk ka përparuar dhe se është më dobët se para vitit 2005, kurse në planin reprezentativ është i kënaqur. “Kampionati i Kosovës nuk ka përparim, madje më duket se është më i dobët se në kohën kur unë punoja si trajner në vitin 2005. Së fundmi e ndoqa edhe një ndeshje të Feronikelit në kupat europiane. Kampioni i Kosovës nuk tregoi ndeshje të mirë, nuk pati asnjë aksion të rrjedhshëm.

Ndërkohë, që përfaqësuesja e Kosovës është duke treguar futboll të bukur. Futbollistët janë cilësorë, por tani kundër Çekisë do ta kenë vështirë sepse ka lojtarë të lënduar, si Zeneli dhe Rashica. Po mendoj se për kualifikim në Euro 2020 kanë edhe një mundësi tjetër që përmes Ligës së Kombeve të kualifikohen. I pret ndeshja me Maqedoninë e Veriut, dhe pa marrë parasysh se ku luajnë mendoj se Kosova është në përparësi, ndonëse se edhe Maqedonia e Veriut ka ekip mjaftë të mirë”, thekson Muriqi, duke shtuar se kur ishte gjallë Fadil Vokrri (ishin tandem në futboll dhe miq të ngushtë jashtë fushës) i kishte thënë se i ka dyert e hapura në FFK, por nuk kishte pranuar.

Fadil Muriqi është i martuar me zonjën Lumnije Muriqi dhe kanë tre fëmijë: djalin Rinorin (i martuar) dhe vajzat Margaritën e Gentianën. Kjo e fundit është kampione e Australisë në peshëngritje. Pas rikthimit në Melburn të Australisë, Fadil Muriqi ka në plan të hap një shkollë futbolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat