Syla: Fitorja me Turqinë është një hap shumë i madh për Kosovën

Futboll

Syla: Fitorja me Turqinë është një hap shumë i madh për Kosovën

Nga: Kemajl Goca Më: 1 shtator 2019 Në ora: 14:36
Liridona Syla i gëzohet golit

Është viti më i mirë për qendërmbrojtësen Liridona Syla. Një lojtare luftarake e inteligjente, që e lë shpirtin në fushë qoftë për ekipin e Mitrovicës qoftë për kombëtaren e Kosovës.  Liridona edhe pse në rolin e qendërmbrojtëses ka shënuar gola vendimtar qoftë për Mitrovicën qoftë për Kombëtaren e Kosovës.

Kur nuk ia do sulmueseve ia do Liridonës! Ajo është prej me të merituarave që kampionia e Kosovës, Mitrovica, ka siguruar kualifikimin në mesin e 32 ekipeve më të mira evropiane përkatësisht në të 16-ën e finales së Champions League.

Liridona realizoi dy gola në Champions, për fitoren e Mitrovicës me 2:1 kundër Olimpia Cluy nga Rumania dhe për triumfin 2:0 ndaj NSA Sofia. Tri ndeshje dy gola, ndërsa Mitrovica kishte përfunduar në vend të parë me 9 pikë në grupin 2, e cila ka kryetrajner Seid Onbashin, ish futbollist. Liridona, prej lojtareve më të shkathëta, ju ka dhënë motiv bashkëlojtareve në secilën ballafaqim. Ajo është e lumtur që me bashkëlojtare arritën suksesin historik, duke u kualifikuar dhe do të ndeshen me skuadrën gjermane Wolfsburgun.

Vashat mitrovicase me 11 shtator e presin Wolfsburgun, ndërsa me 25 shtator luhet takimi i kthimit në Gjermani.  Forma e Sylës është dëshmuar edhe në kombëtaren e Kosovës e cila të premten e 30 gushtit e mposhti me 2:0 Turqinë. Autore e golit edhe në këtë sfidë Syla së bashku me Modesta Ukën. Qendërmbrojtësja me bashkëlojtare treguan lojë të madhe dhe si fryt i kësaj edhe triumfuan. Një fitore domethënëse, duke shkaktuar edhe bujë në qarqe ndërkombëtare, për faktin se shumë baste e kishin favorizuar skuadrën turke.

Image

Kjo fitore është edhe një frymëzim para takimit të 3 shtatorit (e martë) në konak të Sllovenisë, për të kërkuar më të mirën. Përzgjedhësja e Kosovës, Afërditë Fazlija, ish futbolliste e gjeneratës së artë të Prishtinës, ka ndërtuar një lojë kompakte dhe që dha edhe frytet e saja në ballafaqim me turken. Për Sylën është një ndjejë e papërshkrueshme me golin që realizoi ndaj turkes për faktin se përveç që arritën tri pikë gëzuan shumë edhe tifozët “Dardanët”.

Një Kosovë që po shkëlqen dhe që po e rrit gjithnjë e më shumë reputacionin në botën e futbolli.  Veçori tjetër është se Liridona përveç që po tregohet shumë e mirë në repartin e mbrojtjes, është jashtëzakonisht e rrezikshme për portat rivale.  Prandaj, kjo vashë paksa është e shqetësuar për lëndimin e hundës në duel me Turqinë dhe shpreson që sa më shpejt të tejkalojë këtë lëndim. Kosova është në grupin A me Holandën, Rusinë, Slloveninë, Estoninë dhe Turqinë.

Një grup jashtëzakonisht i fortë,  por që Kosova mund të bëjë gjera të mëdha dhe që të befasojë të gjithë. Nga ana tjetër, sllovenet nuk kanë pasur një nismë të mirë, të cilat para shikuesve të vet u mposhtën me rezultat minimal 1:0 nga ruset. Megjithatë, Kosova zotohet se do të jetë sa më e përgatitur për këtë sfidë dhe çdo pikë e fituar nuk do të ketë të paguar kur kihet parasysh se janë kombëtarja më e re në Kontinentin e Vjetër.  

Syla ka vëmendjen në dy aspekte: Kosova të del me rezultat sa më të mirë në Slloveni dhe Mitrovica të ketë një prezantim sa më dinjitoz në duel me Wolfsburgun. 

“Bota sot”: A është prej edicioneve më të mira për ju si futbolliste?
Liridona Syla:
Po, pas tri ndeshjeve fantastike dhe dy gola mjaft të rëndësishme në rundin e kualifikimeve në Champions, pastaj është një ndjenjë e mrekullueshme të bëjmë fitore historike kundër Turqisë me reprezentacion ku edhe shënova dhe ndihem mjaft e lumtur.

“Bota sot”: Një fitore që bëri senzacion kundër Turqisë, a keni pritur dhe çka ndikoi me shumë?
Liridona Syla:
Normalisht që kemi pritur, kundërshtarin nuk e kemi njohur edhe aq mirë, por puna dhe përkushtimi mjaft i madh ku arritëm edhe deri tek rezultati i dëshiruar.

“Bota sot”: Kosova është në grupin A me Holandën, Rusinë, Slloveninë, Estoninë dhe Turqinë, cilët janë rivalët më të fortë?
Liridona Syla:
Normalisht të gjitha ekipet janë të forta, por Holanda duhet veçuar. Ne jemi duke punuar mjaft mirë në këtë drejtim dhe mendojmë se do të arrijmë rezultate pozitive në të gjitha ndeshjet.

“Bota sot”: A shpresoni se do të renditen në mesin e dy - tri ekipeve të para?
Liridona Syla:
Me punën që jemi duke e bërë nuk dyshoj sepse edhe tani jemi komponuar mjaft mirë si ekip dhe jemi duke punuar mjaft mirë dhe shpresojmë e besojmë maksimalisht se do të arrijmë në mesin e tri ekipeve të para.

“Bota sot”: Të martën e 3 shtatorit luani si mysafire e Sllovenisë, kjo fitore me Turqinë iu ka motivuar edhe më shumë, a e kërkoni edhe trepikëshin e radhës?
Liridona Syla:
Fitorja me Turqinë është një hap shumë i madh për ne, një motivim shtesë për ndeshjen e radhës ku ne normalisht që do të shkojmë në Slloveni për 3 pikëshin e radhës.

“Bota sot”: Patët një lëndim në hundë, cila është situata juaj?
Liridona Syla:
Ishte një duel mbrapa ku pata një frakturë në hundë, ku të enjten do të kem një intervenim dhe shpresoj që në ndeshjet e tetorit të jem e gatshme dhe ta ndihmoj ekipin.

“Bota sot”: A do të mungoni kundër Sllovenisë?
Liridona Syla
: Po, fatkeqësisht, një ndjenjë jo e mirë për mua, por unë besoj në vajza dhe mendoj që ekipi do të komponohet dhe shpresoj që do të kthehen me fitore, ku trepikëshi në Slloveni do të ishte një hap shumë i madh për ne.

“Bota sot”: I kthehemi klubit të futbollit Mitrovica me të cilët bëtë histori, si e vlerësoni kualifikimin në mesin e 32 ekipeve më të mira?
Liridona Syla:
Normalisht një ndjenjë e papërshkrueshme, ne atje bëmë historinë ku u kualifikuam që do të thotë shumë për ne.

“Bota sot”: A ndjeni keq që do të mungoni kundër Wolfsburgut?
Liridona Syla:
Po, normalisht është një mungesë e madhe, me Wolfsburgun një ndeshje mjaft e rëndësishme për ne, por besoj që do të kthehem shpejt e ta ndihmoj ekipin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat