Pirlo tregon rivalin anti-Juve në Serie A, “bekon” edhe Milanin e Giampaolo

Futboll

Pirlo tregon rivalin anti-Juve në Serie A, “bekon” edhe Milanin e Giampaolo

Më: 2 shtator 2019 Në ora: 19:28
Andrea Pirlo

Andrea Pirlo do të mbetet gjithmonë “artisti” i futbollit italian. Ai shihet shpesh në “Royal Park Roveri” të Torinos. Aty pranë është “Allianz”, tempulli i tij i fundit italian. Prandaj, analizat e “maestros” janë gjithmonë të shumëpritura. Tani, Pirlo, flet me lehtësi. Dy javët e para të Serie A i ofrojnë shumë argumente, duke filluar me luftën për titull midis Juventusit dhe “mentorit” të tij të vjetër, Antonio Conte: "Interi është alternativa e parë, më e forta, për ta rivalizuar Juventusin. Mungesa e Chiellini do të peshojë shumë. Ai është kapiten dhe udhëheqës, por bardhezinjtë kanë blerë lojtarë të rinj dhe të mirë, të cilët do të rriten javë pas jave”.

Për momentin, legjendari “21” ka një preferencë të çuditshme për bartjen e fanellës së tij te Juve. Për momentin, ai lojtar mban numrin 9: "Nuk më vjen aspak keq që numrin tim ta ketë Higuain. Do të isha i lumtur, sepse është një kampion i shkëlqyer. Për mua është partneri më i mirë për Cristiano Ronaldon. Gonzalo shënon, asiston, di të luajë për ekipin, është i përsosur..." Bollëku i lojtarëve në repartin e përparmë mund të krijojë probleme për “Zonjën”: "Kur je në një skuadër të madhe duhet të mësohesh të jetosh me kampionë të tjerë. Pastaj varet nga ju të tregoni se çfarë mund të bëni. Juventusi i Sarrit është skuadra më e fortë, por kërkohet kohë për idetë e tij të reja”.

Milani i tij i vjetër, nga ana tjetër, nuk ka të njëjtin vezullim dhe bollëk yjesh. E megjithatë, “maestro” bekon ardhjen e Giampaolo dhe inkurajon "miqtë", Maldini e Boban: "Ata sapo kanë filluar... Duhet kohë për të kuptuar se çfarë dëshiron trajneri, por unë mendoj se zgjodhën trajnerin e duhur. Boban dhe Maldini po funksionojnë mirë si menaxherë, brenda kufijve të asaj që mund të bëjnë. Ky është niveli për momentin, po ndërtohet një ekip i ri, sipas udhëzimeve të trajnerit, por me kalimin e kohës kuqezinjtë do të bëjnë mirë”.

E ardhmja e tij duket e lidhur me trajningun. Ai thotë se do të ndjekë kurset përkatëse të kualifikimit në Coverçiano për të qenë gati të startojë nga stoli. Modeli si trajner? Përgjigjia e Andrea është e padyshimtë: "Pirlo".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat